Kardhiq-Delvinë, Rama: Po punohet intensivisht për të shkurtuar udhëtimet drejt bregdetit të jugut

Loti 5 i rrugës Kardhiq-Delvinë, një aks që shkurton kohën e udhëtimit drejt bregdetit të jugut dhe nxit zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, ka përfunduar tashmë plotësisht.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky segment i rëndësishëm i rrugës Kardhiq-Delvinë, ku kanë përfunduar të gjitha veprat e artit, tombino rrethore, tombino box, mure mbajtëse e pritëse, një urë, një nënkalim.

Rama tha se “po punohet intensivisht edhe në lotet e tjera të këtij projekti për të shkurtuar kohën e udhëtimit drejt bregdetit të jugut e për të nxitur zhvillimin e mëtejshëm të turizmit”.

Në fund të muajit gusht u bë e mundur edhe hapja e tunelit të Skërficës, 1316 m i gjatë, pjesë e aksit të ri rrugor Kardhiq-Delvinë.

Me një gjatësi prej 33 km, rruga Kardhiq-Delvinë përbëhet nga 8 lote. Në lotet 1, 2, 3 dhe 5 kanë përfunduar, ndërsa në Lotet 4 dhe 6 po vijojnë punimet.

Përfundimi i kësaj vepre infrastrukturore shkurton me 3 orë kohën e udhëtimit nga Tirana në Sarandë, duke i dhënë një hov të mëtejshëm zhvillimit shumëdimensional të zonës dhe vendit.