Deputetët e Sarandës që po ndëshkojnë qytetarët me heshtjen e tyre

Saranda është një nga qytetet me një mijë e një probleme sa i përket çështjeve të pronave, lejeve të legalizimeve, ndarjes së tokave etj.

Në shumicën e rasteve qytetarët e thjeshtë janë përballur me padrejtësira skandaloze, duke iu mohuar prona e tyre dhe dhuruar dikujt tjetri, zvarritja e pafundme për tu pajisur me një leje legalizime kur kanë të drejtë, e pallogaritur tmerrin e radhëve të gjata e mos marrjen kurrë të një përgjigje në gjithë institucionet e qytetit.

Së fundmi një vendim i rëndë në kurriz të qytetarëve do të jetë shkrirja e Prokurorisë dhe Gjykatës së Sarandës. Vendimi i Kolegjit të Lartë të Prokurorisë me mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë kanë vendosur shkrirjen e këtyre dy institucioneve në Sarandë, por dhe në shumë qytete të tjera në Shqipëri.

Gjitha çështjet do gjykohen në qytetin e Gjirokastrës dhe kjo do të jetë një torturë më e madhe e më e padrejtë për gjithë qytetarët duke nisur nga Saranda, Delvina, Konispoli e deri ata në Borsh.

Prokuroria e Gjykata e Sarandë nuk është se janë dy institucione “ëngjëj” sepse dhe aty ka pasur vendime të padrejta ndaj qytetarëve dhe gjyqtarë e prokurorë të korruptuar dhe proçesi i Vettingut i ka nxjerr në pah se kush janë ata.

Por, ky vendim ka sjellë një acarim tek qytetarët të cilën janë kundër shkrirjes dhë kanë ngritur zërin për këtë vendimarrje nga KLP dhe Ministria e Drejtësisë.

Ata kanë kërkuar nga deputetët e zonës që të dalin në krah të tyre dhe të lobojnë për të mos lejuar shkrirjen e Gjykatës e Prokurorisë, edhe të parandalojne sorollatjet e njerëzve nëpër rrethe.

Saranda nuk munde te trajtohet njësoj si qytetet e tjera, pasi Gjykata në Sarandë mbulon tre qytete Sarandë, Konispol, Delvinë. Dhe është një nga qytetet me numërin e popullsisë më të madhe ne jug.

Megjithatë deri më tani të tre deputetët që u kanë marrë votat qytetarëve Anila Denaj e Niko Kuri nga Partia Socialiste dhe Ina Zhupa nga Partia Demokratike kanë zgjedhur të heshtin.

Një heshtje që ngjan si një pakt mes tyre për të ndëshkuar ata që i kanë dërguar në parlament. /Sarandanews.com/