Dalin emrat e ish zyrtarëve të tjerë të Kadastrës së Sarandës, të arrestuar nga policia

SARANDË- Katër zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës janë shoqëruar nga policia e Sarandës pas denoncimit të ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja se lejuan legalizimin e dy objekteve pa leje që Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kishte kërkuar shembjen.

Mësohet se në pranga ka rënë ish-drejtori i Kadastrës Sarandë, Andri Dhima. Burime për bëjnë me dije se Dhima ka qenë në hetim që prej korrikut 2021. Në pranga kanë rënë dhe dy zyrtarët e tjerë, Vasil Lango, Erliton Ymeri dhe Saimir Braho. Operacioni i policisë është në vijim dhe aktualisht po kryhen kontrolle banesash.

Më 16 mars ministri i Drejtësisë Ulsi Manja denoncoi dy raste të legalizimeve të paligjshme në vend ku njëri ishte në Pogradec dhe një në Sarandë. Manja tha se në Sarandë në zonën Turizëm-kanali i Cukës ishin legalizuar pa leje dy objekte 70 dhe 81 metra katrorë në një kohë që IKMT kishte kërkuar shembjen e tyre.