Humbën në pyllin e Llogarasë, gjenden pas 14 orësh kërkime dy turistët e huaj

Pas disa orësh kërkimesh, Policia ka mundur të gjejë çiftin e turistëve, të cilët humbën në pyllin e Llogarasë pasditen e djeshme.

Sipas bluve të Vlorës, një shtetas francez dhe një shtetase australiane kishin humbur rrugën e kthimit duke ngelur të bllokuar, por janë gjetur pas 14 orësh kërkime.

Ata u gjetën në afërsi të gjirit të Gramës, ndërsa fatmirësisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore

Në orët e mbrëmjes së djeshme, dy turiste të huaja, një shtetas francez dhe një shtetase australiane duke eksploruar zonat malore në Llogara, kanë humbur rrugën e kthimit duke ngelur të bllokuara. Menjëherë janë organizuar shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë në bashkëpunim me shërbimet e Zonave të Mbrojtura dhe shërbimet e Policisë Kufitare, të cilët filluan kërkimet për gjetjen e tyre, në rrugë tokësore dhe detare. Pas 14 orë kërkimesh, është bërë e mundur gjetja e tyre rreth 2.5 Km në vijë ajrore larg gjirit të “Gramës”. Të dy shtetaset nuk kanë pësuar asnjë lëndim dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe po transportohen në stacionin e Policisë Orikum.