Gjobitet me 1 mln lekë administratori i lokalit në Vlorë, procedohen 2 të tjerë

Ndëshkohet me gjobë prej 1 milion lekë si dhe procedohet penalisht administratori i një lokali në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë.

Uniformat blu bëjnë me dije se administratori me iniciale K. Xh nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për mbylljen e muzikës, duke vijuar organizimin e aktivitetit me muzikë, pas orarit të përcaktuar për mbyllje.

Ndërkohë, janë procedurat penalisht edhe dy persona të tjerë, S. Xh, i cili nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për mbylljen e muzikës, si dhe E. T, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë gjatë ushtrimit të detyrës.

Kufizimet për shkak të pandemisë kanë sjellë tension në qytetin bregdetar të Vlorës mes disa prej drejtuesve të bareve e restoranteve dhe policisë.

Pronarët e lokaleve e konsiderojnë si të papranueshëm kufizimin e muzikës pas orës 22:00 në këtë sezon veror.

Pritet që ditën e sotme të zhvillohet një tjetër protestë nga ana e bizneseve.