Punimet në rrugën Lëkurës- Kanali i Çukës, ja si e komenton Adrian Gurma

Rreth 45% e punimeve janë kryer për objektin “Ndërtim, Asfaltim, Rrjeti Inxhinierik, Rruga Nr.1, Lëkurës, Loti 1+2”.

Kryetari i Bashkisë z. Gurma, teksa përshëndet këtë investim dhe bashkëpunim me financim të Qeverisë Shqiptare shprehet se:

“Do të jetë një unazë panoramike e Sarandës, që lehtëson ndjeshëm fluksin e lëvizjes urbane kryesisht gjatë sezonit turistik, por që jep në të njëjtën kohë tjetër qasje, koncept e zhvillim për zonën ku ajo kalon”, shprehet Adrian Gurma.

Kërkesa në kohë për këtë ndërhyrje vjen jo vetëm nga banorët e zonës, por nga turistët e shumtë të cilët hasnin  vështirësi dhe një panorame aspak normale gjatë sezonit turistik.

Banorët shpesh e cilësojnë si një Bypass për Sarandën, i cili do të çlirojë trafikun deri në rrugën për në Ksamil dhe do kthehet në një nyje të bukur për qytetin.

Ndërhyrja parashikon një vlerë të shtuar për zonën, me parametra të plotë të një rruge urbane pasi në vijim përgjatë gjatësisë së saj do të plotësohet me ndriçim, sinjalistikë, gjelbërim.

Kjo rrugë favorizohet dhe nga një pozicion panoramik që mund të shfrytëzohet përgjatë gjithë ditës, përtej pikëpamjes infrastrukturore.