“Syri i kaltër” peng i rrugës, turistët e huaj të zhgënjyer me infrastrukturën

Në monumentin e natyrës ”Syri i Kaltër” kanë mbërritur turistët e parë për këtë vit, nga vende të ndryshme të botës. Emocioni me të cilin ata përballen, ndërthuret me zhgënjimin, kur u duhet të përshkojnë 2 kilometra rrugë krejtësisht e amortizuar për të mbërritur. Ka edhe prej atyre që nuk mbërrijnë dot, pasi makina u prishet në rrugë

“Është një vend i mrekullueshëm .Ngjyra e ujit është shumë e bukur, me të vërtete jemi kënaqur shumë. Gjithë Shqipëria na ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Rruga është problem. Unë makinën time e lashë larg dhe erdha me këmbë. Mendoj se po të ketë rrugë të mirë ,do të jetë më e lehtë për të ardhur deri këtu”, tha Bernard Shemer nga Gjermania.

“Është vend shume i bukur .Natyrë dhe vend tërheqës. Është e vështirë të arrish deri këtu. Shumë e vështirë edhe për makinën time .Vonuam deri në 20 minuta”, deklaron Frank Linsen nga Danimarka.

“Mendoj se ata që vijnë natën këtu duhet të kenë kujdes , të jenë të sigurt. Kur te jenë tek kjo pjesa këtu të kenë kujdes natën. Mund te jetë një ushtrim i vështirë”, tha Will Harin nga SHBA.

“Mendoj se çdo infrastrukturë është e mirëpritur. Mendoj se duhet përmirësuar shërbimi i transportit. Rrugë më të mira, transport më i mirë. Pavarësisht kësaj është çdo gjë perfektë”, tha Neis Pitersen nga SHBA.

Veç vizitorëve të huaj nuk mungojnë edhe turistët shqiptarë. Mungesa e rrugës për ta është një pengesë serioze. Sipas tyre, mungon sinjalistika turistike, shërbimet dhe nuk ka asnjë shërim për turistët.

“Duhet të vënë dorë të pastrohet. Njerëzit kanë ardhur dhe i kanë lënë veturat atje poshtë. S`po them ta bëjnë me asfalt por të mbushin gropat. Është gjynah nga Zoti. Unë kam shkuar në shumë vendin të Europës por kjo është perlë se gjen dot. Ka gjë më të bukur të vish aty të hedhesh 5 leke por të vish të shikosh”, shprehet një banor vendas.

Ndërkohë mësohet se qeveria shqiptare dhe Fondi shqiptar i Zhvillimit do të fillojnë një investim në këtë zonë. Tashmë investimi është tenderuar dhe pritet fillimi i punimeve për rrugën hyrëse dhe sistemimin e parkimit në brendësi të parkut.

“Sipas informacioneve më të fundit ka përfunduar tani tenderimi për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës nga argjinatura deri në mjediset e parkut natyror të syrit të kaltër, që është në kujdesin e Administratës së Zonave të Mbrojtura të qarkut të Vlorës. Ka përfunduar tenderimi, është periudha e ankimimit ligjor dhe pastaj do fillojnë punimet në terren. Me këtë investim merr fund një shqetësim për këtë bukuri që na e ka falur natyra por ne nuk e kemi menaxhuar si duhet”, tha Shkëlqim Hajno, anëtar i Komitetit për Menaxhimin e Zonave të Mbrojtura, Qarku Vlorë.

Megjithatë premtimet e shumta, duket se edhe këtë sezon, ata që do të vizitojnë Syrin e Kaltër, vështirë të gjejnë gjurmë asfalti për të shkuar te Monumenti i Natyrës.