Vlorë, Gjiknuri: Në 8 vjet, PD bëri 2,700 legalizime. PS mbi 15,000 legalizime në 2 mandate

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri, shoqëruar nga Kryebashkiaku Dritan Leli, deputetja Vilma Bello dhe kryetari i PS lokale Anduel Tahiraj zhvilluan një takim me një përfaqësi banorësh të zonës së njohur si ish-fusha e aviacionit, pjesë e rajonit nr.4.

Tre muaj më parë, Këshilli i Ministrave mori vendimin për ndryshimin e kufirit të zonës ekonomike ZK 8604 duke i hapur rrugën Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të kryer legalizimin e banesave të qindra banorëve të kësaj zone. Vendimi korrektoi atë të marrë nga qeveria e mëparshme dhe i dha fund kalvarit 15 vjeçar të banorëve në kushtet e pamundësisë për çertifikimin e pasurisë. Deri më tani, rezulton se Agjencia e Kadastrës ka miratuar lejet e legalizimit për 84 objektet e para dhe procesi është në vazhdim gjatë javëve të ardhshme.

“Ky qe një vendim që korrigjoi vendimin e gabuar të qeverisë Berisha, në dëm të interesave të popullatës këtu dhe për interesat e tyre private. Prandaj, ky është një premtim i përmbushur nga Partia Socialiste. Pas bërjes së legalizimeve këtu do të trajtohen edhe problemet e tjera siç është urbanizimi, infrastruktura më e mirë”, u shpreh Gjiknuri.

Duke ju referuar procesit të legalizimeve, Gjiknuri bëri dhe një bilanc krahasimor midis qeverisjes së mëparshme të Partisë Demokratike dhe asaj aktuale të Partisë Socialiste.

“Po ju them dy shifra për të kuptuar çështjen e legalizimeve, shifra zyrtare dhe konkrete. Gjatë tetë viteve të Partisë Demokratike, qeveria Berisha në të gjithë Qarkun e Vlorës bëri 2,700 legalizime. Sot që flasim, në 7 vite e ca që kemi bërë ne, janë mbi 15,000 legalizime në këtë qark. Është një diferencë e jashtëzakonshme krahasuar me periudhën e asaj kohe. Do të thotë që atë premtim që e bëmë publik, legalizimi të eci sa më shpejt, ne po e bëjmë realitet dhe ky është shembulli i fundit. Kjo këtu qe tamam një enklavë që pengohej për shkak të një vendimi  për të cilin u mor angazhim dhe u bë”, theksoi Gjiknuri.

Më tej, ai sqaroi arsyet përse Partia Socialiste kërkon një mandat të tretë qeverisës si një mundësi për të bërë më shumë punë të mira.

“Ka një arsye kur u themi njerëzve se pse duam të vazhdojmë. Nuk e duam mandatin e tretë si synim në vetvete, se u bë kjo si debat jo i dyti apo i treti. Dalin tani e na thonë se e ka thënë bota që duhet të ketë dy mandate. Jo mo jo, mandatet i merr sa herë të voton populli. Po bëre punë të mira siç janë këto sepse unë besoj se janë punë të mira, natyrshëm populli do të votojë. Po gënjeve mund të ikësh dhe mandatin e parë, ashtu sikurse mund të ikësh edhe më vonë. E rëndësishme është që ti tek njerëzit të jesh i drejtpërdrejtë, të marrësh angazhim dhe ti plotësosh kërkesat të cilat janë të realizueshme. Janë të realizueshme kur ka vullnet të një qeverie të mirë”, insistoi Gjiknuri.

Kryebashkiaku Dritan Leli deklaroi se skuadra e Partisë Socialiste, e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama ka dhënë provat se atë çka thotë e çon deri në fund.

“Ne jemi këtu dhe dalim përballë jush sepse atë që premtojmë e çojmë deri në fund. Kjo është garancia! Për çfarë votojmë? Sepse gjejmë dhe zgjedhim njerëzit që na dëgjojnë dhe çojnë në fund atë që ne presim të marrim prej tyre. Këtu mund të vijnë pafund njerëz që mund të premtojnë gjëra. Mund të thonë që këtu do të jetë e shtruar me mermer, çdo gjë do të jetë një mrekulli! Unë nuk kam premtuar kurrë çudira por dua të jua them një gjë shumë miqësisht: Edi Rama e ka treguar që në momentin që e thotë një gjë e çon deri në fund dhe Vlora është shembulli më i mirë i kësaj. Premtuesit e tjerë do të jenë gënjeshtarët e rradhës që do të kalojnë nga këtu dhe nuk do të kujtohen më për asnjërin nga ju këtu”, tha Leli.

Pasi uroi familjet përfituese nga procesi i legalizimit të banesave, deputetja Vilma Bello falenderoi edhe Agjencinë e Kadastrës për punën e bërë.

“Kushdo nga ju mund të ketë qenë shumë skeptik, shumë dyshues se nuk do ta marrë asnjëherë. Mund të keni menduar se është bërë shumë herë ky premtim. Ne në fakt nuk e thamë fjalën premtim por angazhim dhe e realizuam. Dua të shpreh një falenderim edhe për institucionin e Kadastrës që në një kohë shumë të shkurtër ka përmbyllur procedurat që 84 familje deri më tani dhe në vazhdim edhe familjet e tjera të përfitojnë lejen e legalizimit duke mos parë teserën politike të asnjë familjeje por për të qenë me qytetarët dhe pranë qytetarëve”, u shpreh Bello.