Rama në Sarandë: Porti Turistik do të krijojë mijëra vende pune, sfidë cilësia e shërbimit

Kryeministri Edi Rama është ndalur në Sarandë pas Gjirokastrës. Në një takim me qytetarët, kreu i qeverisë ka investimet dhe zhvillimin e zonës, një ndër to do të jetë edhe ndërtimi i Portit turistik që sipas tij do të krijojë mijëra vende pune.

“Porti i ri turistik do të jetë një investim qindra miliona euro, do të kërkojë edhe forca pune për t’u administruar, do të jetë mundësi punësimi për plot të rinj që dinë gjuhë të huaja dhe janë të interesuar të marrin pjesë. Rritja e kapaciteteve turistike do të kërkojë të njëjtën gjë”.

Një tjetër sfidë për kryeministrin është rritja e cilësisë së shërbimit për turistët.

“Turistët ankohen për shërbimin, rritja e cilësisë së shërbimit është sfidë nëse duam të rrisim të ardhurat dhe Shqipërisë mos t’i dalë nami që Shqipëria është mrekulli”.

Sa i takon largimit të shqiptarëve jashtë vendit, Rama përsëriti qëndrimin e tij se asnjë parti nuk mund të ndalojë këtë trend në ikje, por ka edhe shqiptarë që kthehen.

“Këtë trend në ikje nuk ka parti në botë që ta ndalojë, por ka edhe shqiptarë që kthehen”.

Sikurse në Gjirokastër edhe këtu Rama e krahasoi Shqipërinë me kantierin e ndërtimit, për të cilin puna duhet të vijojë. Nuk ka kohë për gjumë, u shpreh ai.

“Dua të përsëris që edhe Saranda, edhe qarku i Vlorës, pavarësisht investimeve të bëra, jo vetëm në aspektin fizik, por edhe në të gjitha aspektet e tjera. Do ju thosha që të parafytyroni, pamjen e kantierit sot në Thumanë, në Fushë-Krujë apo kudo tjetër në perimetrin e zonës së prekur nga tërmeti, ku pamja është krejt e ndryshme nga dita e nesërme e tërmetit i cili ishte një moment tragjik. Janë pastruar rrënojat, është hapur puna për sistemin nëntokësor, janë hapur themelet e ndërtesave por nuk janë ende banesa për të jetuar. Kështu janë të gjitha aspektet e tjera në arsim dhe në shëndetësi. Besoj që përpara një kantieri ndërtimi, është e qartë se puna vijon, nuk ka kohë për gjumë. Thjesht projektet janë solide, rruga e nisur është solide. Natyrisht është e lehtë ta thuash, shumë e vështirë ta bësh. Arsyeja se përse duhet të jemi në kontakt, është se pse duhet të vazhdojmë dhe të bëhet një balancë mes atyre që janë bërë dhe ato që nuk janë bërë. Shëtitoret nuk janë vetëm transformimi infrastrukture, por është një rritje në aspektin ekonomik. Po të shohësh xhiron e pronarëve që shfrytëzojnë ambientet në Lungomare janë më të larta se çfarë kanë qenë”.