Një ndër shtresat më të prekura nga koronavirusi, puntorët në Vlorë: Dalim për të kërkuar punë edhe pse nuk na lejohet

Situata e krijuar nga koronavirusi i ka lënë pa punë.

Në kërkim të një pune të përditshme në atë që në Vlorë quhet Sheshi Omonia për dhjetra të papunë që e sigurojnë  bukën me çfarë të gjejnë nga situata e krijuar kanë mbetur thuajse pa asgjë.

Prej rreth një muaji nuk kane mundur të sigurojnë dot një punë, ndërsa ka edhe nga ata që prej sot, për shkak të mbylljes së biznesit ku ishin të punësuar kanë mbetur në rrugë të madhe.

Ndihmat që kanë marrë nuk u mjaftojnë, ndërsa me situatën e krijuar e kanë mjaft të vështirë.

Edhe për shkak të mbylljes së lëvizjes numri i tyre nuk është i madh, sërish në shesh ka të tillë që kërkojnë punë dhe mbesin me shpresë.

Një nga qytetarët shprehet: “Qëndroj këtu për punë. Isha në firmë, dola nga firma dhe nga dje mbeta pa punë. Nuk e di se si do t’ia bëj tani, se sa do zgjasë kjo sëmundje. Jam katër veta në shtëpi, por ashtu si unë edhe nusja doli e papunë. Qëndroj deri në orën 12 këtu që është edhe afati. E di që nuk lejohet, por çfarë të bëjmë? Ku të shkojmë? Ne jemi me duar në xhepa. Vështirësi kemi shumë. Firma e ndërpreu punën dhe na dha 60% të rrogës.”

Ndërkohë një tjetër qytetar deklaron: ‘Kam gati një muaj e ca, që kur ka ardhur koronavirusi, jam pa punë. Unë jam vet i shtati dhe nuk e di si do shkojë halli, por na thonë se do të marrim ndihma po as ndihma dhe as asgjë. Shteti nuk po na ndihmon.

Unë kam që 1991 që dal këtu për punë. jemi ankuar por nuk do t’ia dijë njeri. Këto ditë me të keq, si t’ia bëjmë? Kam marr disa ushqime, po mezi i mora. Na i dha bashkia po nuk dalin. Këto ditë nuk ka patur punë farë, le të them 1 muaj. tani dalim dhe me frikë se të vendosni gjobë.”