Ditëlindja e Lefter Çipës, Alket Hyseni: I dashuri i përjetshëm i isopolifonisë s’mund të lindte ditë tjetër, veç 14 Shkurtit

Nga Alket Hyseni

Nga “Porta e borës”, apo “Ballkoni i bregut”, Piluri, në një shtëpi fisnike guri me dritaret e vogla që shohin detin, por me ngrohtësi familjare e shpirt të madh patriotik, atje ku era dhe mali prej miliona vitesh ndeshen pa pasur fitues apo humbës, në vendin e ashpër të shqiponjave e të burrave të rreptë të Akrokerauneve, do lindte ai që sot është padiskutim “Princi i polifonisë shqiptare”, Lefter Çipa.

Rreth 1300 këngë e vjershërime, themelues dhe drejtues i grupit më melodioz të këngës polifonike “Bejkë e bardhë”, pjesmarrës me penën e tij magjike sa askush tjetër në Festivalet Folklorike Kombëtare, studiues e kritik i pashoq i gurrës sonë të pashtershme popullore, botues i 20 librave me poezi, virtuoz i shkrirjes së dyjares, fyellit me kengën piluriote.

Lefter Çipa, me portret të sertë tipik lab e karakter të paepur bregas, por me embëlsi vargu e delikatesë shpirti, buronjën e malit e ktheu në lot emocioni, dallgët e detit i ngacmoi e luajti me to si një “Don Zhuan” valësh, shkrepat e thepisur të maleve i mbylli mes strofash, aromën e trëndelinës shpertheu mes vargjeve.
Ky mbrojtës i pashoq i traditës sonë të rrallë dhe patrioti i madh i shqiptarisë, është simbol i gjallë i atdhedashurisë, burim frymëzimi e krenarie për ne, një model i pavdekshëm për brezat e rinj.
Ai nuk jeton për vete, por për këngën, nuk jeton për bukën, por për shpirtin, nuk mban asgjë për ta fshehur, por e përcjell pa fre, të dlirë, të freskët, tradicionale apo moderne, të ëmbël apo të kripur, siç kënga polifonike është dhe përcillet, me fjalë, me zë dhe me lëvizje.
Si një At i shenjtë dhe fisnik tradite, përcolli talentin dhe mençurinë tek Sandri, Parashqevia dhe Akri, transmetoi mirësinë dhe karakterin burrëror tek Andrea, Beni dhe Adi, ëmbëlsinë e shpitrit e dorëzoi pa kushte tek nipi më i vogël Lefteri i Ri, duke themeluar tashmë jo thjesht një familje, por një dinasti të mirfilltë vlerash, një derë të madhe dhe të nderuar në jug e veri, Shqipëri, Kosovë e diasporë.

Në panteonin e polifonisë dhe folklorit shqiptar është skalitur froni i nderit prej kohësh, e po ashtu ka fituar pavdekësinë mes këngësh e vargjesh, ndaj i uroj nga zemra në këtë ditëlindje, mos vdeksh kurrë o Lefter Çipa, rrofsh sa polifonia jonë, sa malet e Akrokerauneve, këngët t’u bëfshin mal e malet u kthefshin në këngë!