Turizmi në Vlorë, Leli: Sfidat dhe përgatitjet e sezonit

Si kurrë më parë, sezoni veror në Shqipëri po përballet me protokollet e diktuara nga pandemia globale.

Në një lidhje direkte me studion e emisionit “Java në RTSH”, kryebashkiaku i Vlorës shpjegoi masat, risitë dhe pritshmëritë për turistët.

Dritan Leli tha se për fat të mirë Vlora pati shumë pak raste të qytetarëve me Covid-19 çka i jep më tepër siguri pushuesve.

Ai shtoi se vija bregdetarë pavarësisht së është e vështirë për t’u menaxhuar për shkak të gjatësisë së saj, bashkia ka nisur punën për kontrollet e njësive të shërbimit.

“Pastrimi i plazheve ka vijuar dhe vijon dita-ditës. Ne kemi siguruar një koordinim me policinë dhe strukturat e tjera për të ushtruar kontrollet e nevojshme.

Sigurisht që respektimi i distancave dhe hapësirave është një nga elementët kyç të diktuar nga situate” – tha Leli.

Ai shtoi se Bashkia e Vlorës vijon konsultimet me operatorët turistikë dhe përgatitja për këtë sezon është pozitive.

Leli shtoi se edhe Vlora pret me padurim protokollin nga Ministria e Shëndetësisë për të qenë më të qartë sesi do të veprohet gjatë pushimeve.

“Këtë vit në Vlorë është shtuar sipërfaqja e plazheve publike, pa pagesë. Ky sezon mbi të gjitha është një sfidë që kërkon bashkëpunim dhe mirëkuptim” – tha Dritan Leli në studion e “Java në RTSH”.