Rama, qytetarëve: Mos merrni këshilla me Whatsapp, kemi paguar ‘kaparin’ për vaksinën

Kryeministri Edi Rama tha sot në Kuvend se Shëndetësia zë një vend të veçantë në Buxhetin e vitit 2021.

Ai apeloi ndaj qytetarëve që të mos bien pre e panikut sa i përket infektimeve.

Rama tha se në të gjitha rastet i duhet referuar mjekut të familjes dhe jo spekulantëve. Kreu i qeverise u shpreh se qytetarët nuk duhet të marrin këshilla apo receta me Whatsapp nga persona të paautorizuar rreth përballimit të një infektimi të mundshëm.

Shqipëria ka paguar kaparin për COVAX, tha Kryeministri, duke u bërë kështu pjesë e rrjetit të vendeve që ka prenotuar vaksinën anti-Covid.

“Masa të reja që do të qëndrojnë aty përtej vitit të ardhshëm. Qytetarët që preken nga virusi COVID-19 dhe ata që hyjnë në kategorinë me ndihmë ekonomike.

Së pari rritja e buxhetit të shëndetësisë në vitin 2021 është rritja më e lartë në të gjitha këto 30 vjet për shëndetësinë në një buxhet të shtetit. Plus 23.3 %, një rritje e pandodhur më parë që siç e thashë lidhet me masat e reja që do të qëndrojnë aty qoftë edhe me fuqizimin e vijës mbrojtëse për të dalë kryelartë nga kjo luftë. Shqipëria nuk ka asgjë mangët nga gjërat e tjera.

Sikur kjo flamë ta kishte gjetur Shqipërinë me spitalet kur ne morëm detyrën. Ishim në spitalin e Vlorës në sallën e re të reanimacionit, dallimi mes çka kemi sot dhe çka kishim dje ishte realisht dallimi i ditës me natën dhe i tillë është edhe në QSUT dhe në spitalet e tjera rajonale. Në spitalin e Vlorës në 2014 kishte vetëm 2 aparatura të vjetra të kohës së marrëdhënieve shqiptaro-kineze.

Sot linjat e oksigjenit, aparaturat që suportojnë trajtimin e pacientëve me oksigjen janë në të gjithë sistemin tonë të mbrojtjes kundër COVID” – tha Rama.