Leli: Turizmi shënoi pikun në shtator me 70 % rritje, në dimër shfrytëzojmë pjesën historike!

Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli e ka cilësuar pozitiv për qytetin sezonin turistik edhe pse vendi u godit nga pandemia. Ai shprehet në një intervistë për Report Tv se muaji shtator ka shënuar pikun më të lartë të turistëve ku prenotimet kanë qenë në rritje me 70 %.

Sezoni turistik i kësaj vere, pavarësisht situatës që COVID shkaktoi në të gjithë territorin, jo vetëm në Shqipëri por gjithandej, pati suksesin e radhës. Sipas informacioneve që unë kam nga operatorët turistik me të cilët kontakti është i përditshëm. Në muajin gusht ka pasur rreth 50% rritje krahasuar me sezonin turistik të një viti më parë ndërkohë që në shtator në disa prej strukturave në bizneset më të rëndësishme të territorit ka pasur rritje dhe 70% të prenotimeve. Pra kemi, përveç se një rritje të numrit dhe një zgjatje të sezonit turistik gjatë shtatorit që ishte për arsye të kohës, që ishte shumë e mirë me temperature të larta”, tha Leli.

Leli tha se edhe në dimër do të shfrytëzohen  festat lokale dhe pjesa historike e vendit si një nga asetet e reja të turizmit.

Vëmendja e Bashkisë së Vlorës dhe të gjithë operatorëve turistik është që të kemi akoma më shumë vizitor dhe në muajt e vjeshtës dhe të dimrit. Duke shfrytëzuar ato festat lokale. Duke shpresuar për të organizuar një festë në pjesën e bulevardit “Ismail Qemali” përballë stadiumit “Flamurtari”, në mënyrë që të kemi një thirrje për të gjithë vizitorët në fundjavën dhe në javën e festive të Nëntorit. Përgatitjet kanë filluar, në mënyrë që të kemi një shndërrim të qytetit për festën e Krishtlindjeve dhe për Vitin e Ri në mënyrë që të presim më tepër vizitorë, të kemi më shumë njerëz që do të qëndrojnë në Vlorë dhe që do të zgjedhin përsëri dhe në këtë sezon dimri territorin e Bashkisë së Vlorës.

Në qoftë se do flasim për projekte specifike të veçanta, unë do të thosha që ajo që do të ndryshojë në këtë sezon turistik dimëror do të jetë një vëmendje më e shtuar në zonën e pjesës historike si një nga asetet e reja turistike që qyteti ka me iniciativat e para që kanë filluar të zhvillohen në territor ku kanë filluar të hapen bizneset e reja të cilët janë thirrja për vizitorët në muajt e dimrit“, tha Leli.

Në lidhje me investimet dhe pastrimin e Pyllit të Sodës, Leli tha se falë një fondi në bashkëpunim me Bashkinë e Milanos, do të krijohen mundësi akomodimi për turistët si dhe të vendosen koshat e plehrave në të gjithë territorin e pyllit për të ruajtur pastërtinë e saj, në mënyrë që turistë të shijojnë pamjen mahnitëse të pyllit të Sodës.

Gjithashtu Leli tha se ka kërkuar nga qeveria shqiptare vazhdimin me të njëjtin standard të rrugës së pyllit të Sodës aty ku ka përfunduar deri në hyrje të Zvërnecit pikërisht në pjesën e Lagunës së Nartës.

“Ne kemi aplikuar në koperacionin italian dhe kemi siguruar një fond në bashkëpunim me Bashkinë e Milanos për një fond për pastrimin e Pyllit të Sodës dhe për të krijuar 3-4 pika të cilat mund të krijojnë mundësi akomodimi të njerëzve për ta shfrytëzuar këtë peizazh për turizëm dhe njëkohësisht mundësinë e vendosjes së koshave të mbeturinave në të gjithë territorin e pyllit të Sodës në atë që i takon Bashkisë së Vlorës. Jemi duke koordinuar punën, tani Bashkia e Vlorës, zyra e projekteve bashkë me zyrën përgjegjëse në Bashkinë e Milanos janë duke organizuar projektin dhe duke e detajuar atë në mënyrë që të fillojmë me shpresë në fillim vitin e ardhshëm këtë operacion pastrues në territorin e Pyllit të Sodës. Shpresoj që të kemi një impakt të drejtpërdrejtë në atë që është dëshira e të gjithë qytetarëve ndërkohë ajo që unë kam kërkuar dhe vazhdoj të kërkoj që të mbështetet me projekte nga qeveria shqiptare është vazhdimi me të njëjtin standard i rrugës së pyllit të Sodës aty ku ka përfunduar deri në hyrje të Zvërnecit pikërisht në pjesën e Lagunës së Nartës. “, tha Leli.