Rruga Kardhiq-Delvinë, protestë edhe nga banorët në Fushë-Vërri: Kompania ka dëmtuar kanalet vaditëse, lekët e shpronësimeve nuk i kemi marrë ende

Kompania që po kryen punimet në rrugën Kardhiq-Delvinë ka dëmtuar kanalet vaditëse të tokave të fshatit Fushë- Vërri. Kjo situatë ka krijuar probleme për të mbjellat e banorëve. Ditët e fundit ata kanë protestuar për të kërkuar zgjidhje.

Sot zhvilluan një takim me kryebashkiaken e Delvinës dhe drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Vec rregullimit të kanaleve vaditëse, banorët e kësaj zone kërkojnë edhe lekët e shpronësimeve për tokat që preken nga projekti i rrugës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar është vënë në lëvizje për t’i dhënë zgjidhje problemeve të banorëve në mënyrë që projekti për ndërtimin e rrugës të vijojë.

Disa ditë më parë pati një protestë edhe nga banorët e fshatrave Fushëbardhë, Zhulat e Taroninë.

Ata bllokuan rrugën për disa minuta dhe kërkuan ndërhyrje për të rikthyer vaditjen e tokave të tyre si më parë.