DETAJET/ Ç’ndodhi në një mbledhje “rithemeluesish” në Sarandë pak ditë më parë?

Afro një javë më parë, deputetja e Sarandës Ina Zhupa është rikthyer në selinë demokrate të këtij qyteti pas një mungese afro 6-mujore.

Bashkë me Drejtuesin e Grupit të Punës për Qarkun e Vlorës nga Rithemelimi, Genc Deromemaj, Zhupa ka drejtuar një mbledhje me simpatizantë demokratë në këtë qytet.

Mbledhja është shoqëruar, sipas burimeve, me tensione të shumta, kryesisht nga mbështetës të Berishës, të cilët nuk e kanë pranuar lehtë pjesëmarrjen e Ina Zhupës në këtë takim.

Në tentativë për të ulur tonet, Zhupa është shprehur se ajo ka qenë ndër ato zëra që ka kërkuar dorehëqjen e Lulzim Bashës dhe se tashmë ka kaluar me krahun e Rithemelimit, gjë që është konfirmuar edhe nga Deromemaj.

Zhupa ka kërkuar bashkimin e demokratëve të Sarandës në një formacion të vetëm, gjë e cila duket se nuk është realizuar dot pasi vetëm 4 ditë pas kësaj mbledhjeje, mbështetësit e Bashës në Sarandë, duke përfshirë kryetarin e degës Vesel Koçiu dhe disa drejtues të tjerë, kanë dalë me një deklaratë për shtyp duke akuzuar drejtuesit e Rithemelimit në Sarandë për proces fals të zgjedhjes së strukturave, falsifikime etj.

Prej së dielës, dega e PD-së në Sarandë është zyrtarisht sërish e çarë në dy fraksione, në mbështetësit e Berishës dhe në ata të linjes zyrtare të PD-së, pra ish-Basha e tashmë Alibeaj.

I vetmi ndryshim nga më parë është që tashmë deputetja Ina Zhupa është mbështetëse e Berishës.

Të dielën në 17 prill, Rithemelimi do të zgjedhë drejtuesin e saj për Sarandën mes emrave të Manjola Nikolla, Robert Haxhi, Brigels Dervishi e Elvis Kuçi.

Në proces pritet mos të marrin pjesë një numër demokratësh që përfaqësojnë linjen zyrtare të PD-së, të drejtuar tashmë nga Alibeaj.