Përmeti pa Covid-19. Ndihmohen 400 familje në nevojë

Në këtë periudhë pandemie në bashkinë e Përmetit nuk është regjistruar asnjë rast i prekur nga COVID-19.

Banorët shprehen se respektojnë masat e distancimit social për parandalimin e prekjes nga koronavirusi. “Lehtësimi i kufizimit të lëvizjes gjatë kësaj jave do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik të veprimtarive të biznesit në zonën e Përmetit”, pohojnë banorët.

Bashkia e Përmetit në bashkëpunim me institucionet publike po mbështet shtresat në nevojë ndërsa janë shpërndarë ndihma me pako ushqimore dhe barna për rreth 400 familje.

Grupet e patronazhimit të ndara sipas njësive administrative kujdesen për t’u siguruar shërbimet të moshuarve, ndërsa për parandalimin e prekjes së popullatës nga COVID -19 është kryer edhe dezifektimi i mjedisve dhe godinave publike, segmenteve rrugore si në qytet ashtu edhe në njësitë administrative të bashkisë, etj.