Parlamenti miraton ligjin “Për aktivitetet e turizmit detar”

Dje, në 23 prill 2020 Parlamenti miraton ligjin “për aktivitetet e turizmit detar”, një ngjarje që në dukje jo domosdoshmërisht ka lidhje direkte me të drejtën kombëtare të detit.

Në fakt, jo vetë përmbajtja e ligjit, por filozofia mbi të cilin është hartuar ky ligj kanë lidhje dhe ndikim direkt me të drejtën kombëtare të detit dhe zhvillimin e aktivitetit detar.

Ky ligj është një arritje serioze për një vizion të ri në administrimin e një aspekti të rëndësishëm të industrisë detare në Shqipëri.

Ligji i ri i sapo miratuar, përtej teknikaliteteve dhe përcaktimeve juridike, i cili si për çdo akt juridik do të jetë një proces në përmirësim në kohë mbas mësimeve që do të nxirren nga fillimi i zbatimit të tij, mbështetet në dy filozofi: garantimin e lirisë së lundrimit dhe krijimin e lehtësirave fiskale, për një aspekt të veçantë të aktivitetit detar, turizmin detar.

Ligji është një produkt i një bashkëpunimi shumë të mirë të institucioneve shtetërore dhe operatorëve privat turistik, të drejtuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Suksesi i një modeli ekonomik është ngushtësisht i lidhur me lirinë ekonomike, që në hapsirën detare shprehet kryesisht me lirinë e lundrimit, por dhe me liritë e tjera.

Liria e lundrimit, si në parim themelor, është i mishëruar në të drejtën zakonore dhe të kodifikuar ndërkombëtare të detit. Ky parim bazë ka dominuar përdorimin e detit në shekujt e fundit, e artikuluar për herë të parë nga juristi hollandez Hugo de Groot (Grotius) qysh në vitin 1609, në pamfletine tij të titulluar “Mare Liberium”, libër në të cilin ai atakoi konceptin e detit të mbyllur dhe argumentoi për lirinë e detit, si pjesë e trashëgimisë të mbarë njerëzimit.

Liria e lundrimit në detin kombëtar të RSH është e garantuar me ligj, por nuk ka qënë një e drejtë e aplikueshëme plotësisht. Edhe pse kjo e drejtë garantohet nga UNCLOS 1982 (Shqipëria ka aderuar në vitin 2003) dhe Kodi Detar i RSH (miratuar 2004), akte të tjera ligjore, nënligjore dhe administrative kanë cënuar lirinë e lundrimit në det.

Deri më sot, për shkak të mundësis së një ballance të pranuar, administrimi i detit është drejtuar nga një filozofi e dominuar nga koncepte të mohimit të kontrollit detar. Mohimi i kontrollit detar është objektivë në tentativë për kontrollin e situatës detare, sepse në praktik nuk mund të ndodhi.

Mohimi i kontrollit detar, është instrumenti i cili garanton kontrollin e zbatimit të ligjit dhe ushtrimin e sovranitetit, por mohon lirinë e lundrimit dhe liritë e tjera ekonomike.

Ligji i ri i sapo miratuar, duke garantuar lirinë e lundrimit, jo vetëm në parim, por edhe nëpërmjet procedurave, do të hyjë në historinë e të drejtës kombëtare të detit, si ligji që ndryshoj filozofinë e administrimit të hapësirës detare kombëtare.

Administrimi i aktivitetit detar dhe ushtrimi i sovranitetit kombëtar është një raport midis lirisë së lundrimit dhe kontrollit të zbatimit të ligjit.

Në teorinë detare, ushtrimi i sovranitetit mund të arrihet nëpërmjet një kontrolli detar të pranueshëm të hapësirës së përgjegjësisë. Sistemet ekonomike që promovojnë lirinë ekonomike, ruajn një ballancë të caktuar midis sovranitetit kombëtar dhe lirisë së lundrimit.

Në kushtet e reja të lirisë lundrimit që do të promovoj ligji i ri i miratuar dje, por edhe e lirive të tjera ekonomike që besoj do të miratohen nesër, është detyrë e agjensive ligjzbatuese kombëtare që operojnë në det të përmirësojnë procedurat dhe metodat e kontrollit detar, duke garatuar këtë liri dhe siguruar ushtrimin e sovranitetit kombëtar në det, nëpërmjet sistemeve, metodave dhe teknologjisë më inteligjente, por mbi të gjitha rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të ndërsjelltë të informacionit.

Mohimi detar është mohim i lirisë së lundrimit. Liria nuk është e lirë.