Greqi/ Solidarizim me situatën, ulje çmimesh për agrumet

Edhe pse nga mëngjesi i së hënës qeveria greke njoftoi masa shtesë për përballimin e përhapjes së covid19, duket se grekët vazhdojnë jetën e tyre normale.

Në tregjet e Athinës vazhdon puna normale dhe çmimet mbeten të ulëta, sidomos, agrumet, për të cilat çmimet janë ulur.

Në tregun e Athinës, një kg limona është më pak se 1 euro, po ashtu edhe portokallet, ndërsa mandarinat tregtohen me rreth 1.2 euro.
Domatet janë nga 1-1.5 euro,sallata jeshile 50 cent,e kështu me radhë. Vihet re në disa raste, tregtarët të bëjnë oferta, në shenjë mbështetje për situatën në të cilën po kalon vendi. Në farmacitë e vendit që prej mëngjesit hyrja bëhet me radhë, po ashtu edhe në supermarkete dhe banka.

Qytetarët zbatojnë me rigorozitet radhën,dhe nuk raportohen raste blerjesh të ekzagjëruara në treg.

Më herët ministri i tregtisë dhe zhvillimit, njoftoi se vendi ka rezerva të mëdha lëndë të parë, ndërsa fabrikat nuk do të ndalojnë punën në asnjë rast.

Edhe supermarketet njoftuan se kanë rezerva të mëdha,ndërsa do të zgjerojnë orarin e shërbimit, me qëllim plotësimin e kërkesave.

Ndërkohë sa u përket rasteve, të raportuara janë 331,dhe ende në proces janë rreth 120 të cilat në mbrëmje do të konfirmohen. Janë marrë më shumë se 4000 mostra, ndërsa parashikimet janë se deri në fund të javës, Greqia do të kaloje 1000 të infektuar.

Numri i të vdekurve është 4,ndërsa në reanimacion në gjendje të rëndë janë 8 persona,3 prej të cilëve janë në gjendje kritike për jetën.

Deri në dreke do të njoftohet mbyllja e kishave,ndërsa policia ka arrestuar deri tani 127 biznesmenë të cilët kanë thyer urdhrin e qeverisë dhe kanë hapur bizneset e tyre.