51 të infektuar në Shqipëri me koronavirus, mes tyre 1 mjek, 3 infermierë

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se numri i personave të prekur nga koronavirusi në Shqipëri ka shkuar në 51.

Në vijim të punës së kujdesshme dhe profesioniste të bërë nga ISHP dhe njësitë e kujdesit vendor, për identifikimin dhe gjurmimin e rasteve, në 24 orët e fundit janë testuar 31 persona të dyshuar, qytetarë dhe personel shëndetësor, prej të cilëve janë konfirmuar 9 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 563 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 51 raste:
Nga rastet e konfirmuara pozitivë:
Tiranë 34 raste
Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
Lushnje 2 rast
Elbasan 2 raste
Fier 6 raste
Rrogozhinë 2 raste
Prej tyre:
20 janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri, Lushja dhe Rrogozhina).
Prej tyre janë në terapi intensive tre qytetarë, njëri prej të cilëve në respiracion të drejtuar.
Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Në vijim të HETIMIT TË HOLLËSISHËM EPIDEMILOLOGJIK të filluar ditën e djeshme në spitalin “Shefqet Ndroqi”, kanë dalë pozitiv edhe 4 raste personel shëndetësor (një mjek dhe 3 infermierë) të cilët kanë qenë në kontakt me pacientin, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin infektiv dhe që, më herët ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Siç ju kemi njoftuar, nga gjurmimi i kryer, ky pacient është vizituar në spital nga një i afërm që vinte nga Italia, dhe që NUK E KA DHËNË KËTË INFORMACION TEK STAFET MJEKËSORE.
Personeli është në gjendje të mirë shëndetësore, PA SIMPTOMA dhe i vetëkarantinuar.
Instituti i Shëndetit Publik po vazhdon pa u ndalur hetimi epidemiologjik dhe testimi i rasteve të dyshuara.