INTERVISTA/ Rrëfehet ish- lojtari i Butrintit, Odise Cipa: Futbolli s’luhet me fjalë, po e shkatërrojnë pazaret
Ndeshjet e kategorive të ulëta përcjellin vlera kolektiviteti dhe sedre, deri në kufij nacionalizmash.
Ks Butrinti, mundëson në kuadër intervistën me ish-futbollistin dhe ish-trajnerin e ekipit të futbollit të Butrintit, Odise Çipën, i cili më shumë se çdo gjë ka vlerësuar kolektivitetin dhe shpirtin luftarak që ekzistonte në fushën e lojës gjatë ndeshjeve, kërkesën e lartë të llogarisë si dhe stafin drejtues të kualifikuar, ndërkohë që shfaq rezervat e tij për zhvillimet dhe qëndrimet në sportin e kategorive të ulëta.
Sipas tij, nuk ka menaxhim dhe transparencë të investimeve, nuk ka thithje të mendimit të specialistëve dhe ekipet nuk përbëhen nga një bosht bazë i autoktonisë qytetare duke sjellë edhe mungesën e ekipeve zinxhir.
Cila ka qenë karriera e Odise Çipës, në ekipin e futbollit “Butrinti”?
Falënderime për intervistën sot që flasim së bashku, unë jam 55 vjeç. Jam aktivizuar me ekipet zinxhir të futbollit qysh në moshën 10 vjeç, ndërsa në ekipin e Butrintit për të rritur, jam federuar në vitin 1982, në pozicionin mbrojtës i djathtë, pozicion të cilin e mbajta deri sa e mbylla karrierën. Dua të shtoj këtu se, kam qenë i federuar dhe kam luajtur edhe me ekipin Odiseu të Korfuzit, ndërkohë që në vitin 1996, kalova trajneri i parë i ekipit të futbollit Butrinti, kjo pas një trajnimi, kualifikimi dhe certifikimi si trajner në FSHF. Ndersa ne Vitin 2015 per nje periudhe 6 mujore drejtova ekipin U-19 te Butrintit por pavarsisht rezultateve mjaft te mira u shkarkova nga detyra pa asnje shpjegim.
Si ka qenë gjendja dhe paraqitja e Butrintit në periudhën kur ju keni luajtur për të?
Mendoj se, ka qenë shumë e mirë. Renditeshim në tre vendet e para të klasifikimit, kishim një gjendje morale dhe psikologjike të shkëlqyer e stimuluar edhe nga pushtetarët e kohës, të cilët shfaqnin interes të lartë për sportin, kjo një nga elementët më kryesorë për sportin, krahas asaj të përgatitjes fizike, për çdo lojtar dhe ekip në zhvillimin e ndeshjeve. Ndeshjet shoqëroheshin kudo nga tifozët, stadiumet ishin përherë plot, madje, shpeshherë i hapeshin edhe probleme policisë. Në Sarandë vinin për trajnim trajnerët e shquar Bert Jashari e Shyqyri Reli, për një periudhë tremujore. Një ndihmë e madhe kjo që jepej ekipit para nisjes së çdo sezonit, por nuk mund të lë pa përmendur edhe shefin e klubit të atyre viteve për të cilat flas, Vangjel Çakulin, përherë inteligjent dhe i prerë në kërkesat e tij.
Mund të përmendni disa figura të spërkatura
Po. Anastas Qesari, Fuat Karalliu, Dhionis Lapa, Ferdinand Mërkuri, Leonard Qesari, Eriko Gurma, Margarit Çakalli, Simon Çipa, Sokol Bogdo, Gjergj Kolonja, Arjan Guga dhe shumë të tjerë, të cilët kanë dhënë kontribut në ecurinë dhe rritjen e nivelit të futbollit në Sarandë.
Ju ka mbetur në kujtesë ndonjë ngjarje apo ndeshje që ju mund t’i veçoni?
Ndërsa e mira dhe e keqja rrinin bashkë atëherë, kur gjithë ajo lojë e bukur, ku spikaste një formë e lartë sportive e kurorëzuar dhe me fitore, zbehej nga veprime skandaloze të tifozëve. Në Kategorinë e Dytë të asaj kohe nuk ishin të pakta, por si më pozitiven që sundonte në çdo ndeshje, do të veçoja kolektivitetin, trajtimin në lidhje brezash. Ndërsa ajo që mbetet negative, ishte arbritimi i njëanshëm, sidomos në ndeshjet e quajtura tradicionale të shoqëruar me një tifozëri të zhurmshme, në një kohë kur angazhimi i strukturave partiake dhe ekzekutive ishte maksimal dhe madje, dhe pjesëmarrës në stadium. E çuditshme kjo në sistemin që kaluam, por ja që ndodhte. S’ikën njëanshmëria, e cila në shumicën e rasteve bëhet shkak i trazirave në stadium.
Ju, keni zhvilluar ndeshje ndërkombëtare?
Po, vetëm 2. Ndeshja e parë miqësore u zhvillua me ekipin e Korfuzit në vitin 1986 në Korfuz, ndërsa e dyta në vitin 1992 në Sarandë me ekipin Odiseu, po të Korfuzit, ku unë isha lojtar kundërshtar me ekipin e Butrintit. Fatkeqësisht dola i humbur sepse fitoi Butrinti.
Paraqitja e ekipit të Sarandës, është më e mirë sot, apo atëherë kur ju ishit lojtar te Butrinti?
Patjetër që atëherë. Sado që infrastruktura sportive, si në materiale dhe në terrene, ishte më e keqe, atëherë kishte unitet në ekip, dinin përse luanin. Bëhej stërvitje e rregullt e drejtuar nga specialistë dhe kishte kërkesë të lartë nga ana e drejtuesve. Këto nuk i them për modesti dhe i ndikuar nga nostalgjia, por ky ishte realiteti.
Nga se niseni që dilni në një konkluzion të tillë?
Po jap vetëm një shembull që nuk do shumë koment. Në kulmin e formës sime sportive, pata një konflikt me trajnerin e ekipit, i cili s’kishte të bënte me sportin. Ai nuk më lejonte të futesha në lojë, ndërsa skuadra pësonte humbje ndeshje pas ndeshjesh. Nga analiza që iu bë situatës, problemi im vajti në vesh të ish-Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së Rrethit dhe më pas u dha urdhri i prerë, çka solli rehabilitimin tim në lojë. Sot kjo nuk ndodh.
Çfarë mendoni se mungon që të rritet niveli i futbollit në Sarandë?
E para, mendoj se, duhet të fitojë ato vlera që kishim, të eci në traditë. Të ketë një ekuilibër administrativ, pasi vihet re që FSHF-ja merr masa të drejta ndëshkimi disiplinor, por bashkia asnjë masë ndaj drejtuesve të klubit dhe stafit. Qe ekipi te kete progres duhet ndryshim ne te gjitha hallkat drejtuese jo vetem ne trajnim.
Atëherë çfarë vlere i mbetet masës?
Futbolli s’luhet me fjalë, por me stërvitje dhe lojë. Pazaret po shkatërrojnë sportin. Të gjitha figurat sportive të së kaluarës nuk janë pyetur njëherë për të dhënë një mendim. Pastaj të gjithë drejtuesit e ekipit të Butrintit nuk kanë luajtur asnjë minutë në Sarandë. Kjo do të thotë shumë, nuk njohin traditën, mentalitetet dhe psikologjinë e ekipit. Më duket një investim jo korrekt dhe i pajustifikuar, pasi për hir të së vërtetës, kryebashkiaku investon shumë në drejtim të skuadrës dhe infrastrukturës së saj.
Ju si u keni paraprirë këtyre fenomeneve kur ishit në drejtimin e skuadrës së Butrintit?
Unë kur isha trajner i ekipit mbaja afër mjeshtrin profesionist, Maksi Kocken në një plotfuqishmëri të drejtimit teknik të lojës, ndërsa sot nuk bëhet asnjë përpjekje për thithjen e elementit të ri, nuk ka ekipe zinxhir. E kanë më të lehtë të blejnë lojtarë me shpenzime kolosale dhe që nuk shfaqin asnjë vlerë, sesa të investojnë për elementin e ri. Drejtuesit e skuadrave e të klubeve shihen më shumë si drejtues politikë dhe jo nga vlerat sportive që kanë. Kjo është shumë e dëmshme në edukimin e brezit të ri në mesazhin që iu japim, kjo dëmton shumë, si ecurinë ashtu edhe gjendjen psiko-moralo-fizike të ekipit.
Intervista eshte bere me rastin e 55 vjetorit te Specialistit Odise Cipa.