Tragjike në Konispol/ Burri vret me sëpatë gruan, djali e hedh nga shkallët, 69-vjeçari ndërron jetë
Rreth orës 07:00, në fshatin Shalës, Konispol, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, në banesë, shtetasi Hysen Islamaj 69 vjeç, ka vrarë me sëpatë bashkëshorten e tij Shano Islamaj 66 vjeçe.
Më pas, shtetasi Hysen Islamaj dyshohet se është konfliktuar me djalin e tij, shtetasin Klementin Islamaj rreth 40 vjeç, i cili e ka shtyrë babanë nga shkallët e banesës. Si pasojë e dëmtimeve edhe Hyseni ka humbur jetën në vendngjarje.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Konispol, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e Policisë të autorit të dyshuar, shtetasit Klementin Islamaj.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.