‘Historia e një prone të parë nga dy botë të ndryshme’, Rama sqaron akuzat e PD se përfitoi 22 ha në Vuno: Shpikje e ekstremistëve grekë e qenefët në Tiranë
‘Një histori maskarenjsh nga Athina e Tirana’, e prodhuar në kuzhinën e qarqeve ekstremiste greke, dhe ‘qenefet nëTiranë” në kohën kur në Himarë mbaheshin zgjedhjet e pjesshme që do të vendosnin se kush do të marrë drejtimin. Kështu e quan Rama akuzat e Partisë Demokratike se familjarët e tij kanë përfituar padrejtësisht toka në Vuno me vendime qeverie.
Ditën që kryeministri Edi Rama zyrtarizoi me rezulatet e KQZ-së fitoren e thellë në Himarë, Rama zgjodhi të reagojë përmes një postimi të gjatë në facebook.
Rama thotë se kemi të bëjmë me një “ fabrikim i hatashëm në tërë ndytësinë e vet” dhe tregon gjithë procesin që ka nisur në 2003 për tokën 22. 5 ha pyll dhe kullota në fshatin Vuno, të Bashkisë Himarë duke saktësuar se kjo pronë ndodhet diku lart në rripa malesh shumë larg vijës bregdetare meqë flasin edhe për vlera dhjetra milionëshe të truallit të “grabitur’. Madje ai paraqet dhe hartat ne google se ku ndodhet toka. Premton se me ‘ideuesit e hartuesit’ do të përballet në gjykatë.
Shkrimi i plote i Rames
‘Historia e një prone të parë nga dy botë të ndryshme’
Në ndërkohën që Himara u mblidhej për të bërë zgjedhjen e qartë dhe të padiskutueshme që bëri dje, kuzhina e qarqeve ekstremiste greke, ku është gatuar çorba e madhe e gënjeshtrave për pronat në Himarë dhe qenefët e atyre në Tiranë pa din, iman, fe e as atdhe, vijuan të jashtënxjerrin rrena me bisht mbi historinë e pronave të familjes së nënës time në fshatin Vuno të Himarës.
Ata andej, poshtë nga Athina, nuk duan ta pranojnë se në Shqipëri ka vdekur koha kur mund të fusnin hundë e duar, për të bërë çorap punët tona përmes shërbëtorësh dhe eunukësh me pushtet në Tiranë. Ndërsa këta këtej, lart nga Tirana, pasi vdiq koha kur mund ta shkelnin me të dyja këmbët çdo ligj e zakon, për të grabitur ç’të mundeshin me hijen e pushtetit dhe me ligje e vendime qeverie të kopsitura për interesat e tyre, të familjarëve e të tarafeve të tyre, duan medoemos të më fusin edhe mua në kategorinë e mjerë të të korruptuarve, të cilës i përkasin përgjithmonë në mënyrën më të palavdishme.
Siç e thashë publikisht para disa ditësh, padia e rradhës për shpifjet e tyre do të shkojë në gjykatë sapo të jetë gati. Por duke qenë ky i pronës së grabitur nga unë në Vuno me vendime qeverie, një fabrikim i hatashëm në tërë ndytësinë e vet, po ndaj publikisht disa fakte që e tregojnë shumë kokëfortësisht, se jo vetëm s’jemi të gjithë njësoj në këto llogoret e politikës, po jetojmë në dy botë krejt të ndryshme dhe kemi për politikën dhe pushtetin botëkuptime që dallojnë si dita me natën.
• Më 12.05.2003 me kërkesë të Edrin dhe Eno Kolekës si trashegimtarë (me prokurë të posaçme) të Petro dhe Spiro Kolekës, Gjykata e Vlorës njeh pronësinë e Petro dhe Spiro Kolekes mbi 22.4 ha pyll dhe kullota në fshatin Vuno, të Bashkisë Himarë (diku lart në rripa malesh shumë larg vijës bregdetare meqë flasin edhe për vlera dhjetra milionëshe të truallit të “grabitur”).
• Më 06.05.2016 me hyrjen në fuqi të ligjit 133/2015 që u shqyrtua deri në Strasburg , Edrin Koleka paraqet kërkesë në Agjencinë e Trajtimit të Pronave (ATP) për njohjen dhe kthimin e pronës në kufijtë ekzistues, sepse është sipërfaqe e lirë (pra në kohën kur unë isha në krye të qeverisë dhe në krye të agjencisë ishte një drejtues i emëruar nga qeveria ime, me firmën time).
• Me vendimin nr.504, dt.30.03.2017, ATP-ja e rrëzon kërkesën e Edrin Kolekës dhe e argumenton kundërshtinë mbi bazën e VKM nr. 222 date 23.03. 2016 “ Për trajtimin e kërkesave për njohje të pronës dhe kompensimin e saj “ (e cila mban firmën time, e jo që nuk i favorizon, siç bërtasin kllounët e ekstremizmit grek në Athinë dhe të paudhët pa atdhe të ujrave e të listave të zeza të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, po përkundrazi, i pengon drejtëpërdrejtë të 11 trashëgimtarët e familjes Koleka të përfitojnë pronën e gjyshërve të tyre).
• Dokumentacioni konsiderohet jo i plotë, jo vetëm në bazë të VKM-së së mësipërme, po edhe sipas ligjit nr.133/2015 për “ Trajtimin e pronës dhe përfundimim e procesit të kompensimit të pronave“. (E thënë ndryshe, ky ligj i kaluar me propozimin e qeverisë sime të mandatit të parë dhe me votat e shumicës socialiste, nuk e njeh vendimin e gjykatës si dokument origjine).
• Edrin Koleka e ankimon këtë vendim të ATP-së në Gjykatën e Apelit Vlorë dhe kjo gjykatë me vendimin nr.40 datë.19.03.2019 e bën nul vendimin nr.504 date 30.03.2017 të ATP-së, duke njohur kompensimin fizik në kufijtë e pronës së Petro dhe Spiro Kolekës, për një sipërfaqe 22.4 ha pyje dhe kullotë në Vuno, Qarku Vlorë.
Por odiseja e trashëgimtarëve të kësaj prone, ku përfshihem edhe unë vetë (pavarësisht se e kam bërë me dije në familje qysh në kohëra tanimë të vjetra, kur isha thjesht “një piktor me thonj të paprerë që flija nën urat e Parisit” siç më quanin politikanët e Tiranës në librat e sharjeve të tyre, se nuk kam asnjë interes të bëhem pronar i asgjëje të trashëguar, përveç studios së tim eti) nuk mbyllet me kaq.
• Agjencia e Trajtimit të Pronave, me shkresën nr.6175/1 datë 26.06.2019, ushtron rekurs kundër trashëgimtarëve të familjes Koleka në Gjykatën e Lartë ndaj vendimit nr.40 datë 19.03.2019 të Gjykatës së Apelit Vlorë.
• Si përfundim sot e kësaj dite nuk ka ende një datë gjyqi në Gjykatën e Lartë për trajtimin e kësaj çështje, nga e cila një ndër përfituesit potencialë është edhe im vëlla, ashtu siç nuk ka në kadastër sot e gjithë ditën asnjë pronë të regjistruar në emër të trashëgimtarëve Petro dhe Spiro Kolekës.
Tani, unë e di që sapo ta postoj këtë shpjegim faktik mbi maskarallëkun e njëmijtë të kundërshtarëve të mi të padenjë në adresën time, nuk do të mungojnë ata që nuk do ta besojnë e që do të luftojnë me faktet si zakonisht, apo ata që do të gjejnë mënyrën për ta përqeshur këtë qasje timen ndaj interesave pronësore të familjarëve e të afërmve të mi, të cilëve u shpreh keqardhjen që për shkak të detyrës sime duhet edhe të dëgjojnë ballkoneve të dëshpërimit politik dhe të shohin e lexojnë kanaleve të llumit mediatik, një histori maskarenjsh nga Athina e nga Tirana, për një pronë që e kërkojnë shkallë më shkallë që prej viteve ‘90.
Por jam mësuar me ata që “nuk mbushin” dhe që e shohin botën me sytë e verbër të anësisë politike apo të urrejtjes analitiko-mediatike. Ky shpjegim nuk është për ta, po vetëm për atë shumicë shqiptarësh që prej 11 vjetësh, më kanë bërë nderin e jashtëzakonshëm të besimit të tyre për të udhëhequr Shqipërinë, të cilëve besoj se u vlen historia e kësaj prone, si një provë e besnikërisë sime ndaj tyre në kryerjen e një detyre kaq të lartë, ku kurrë, në asnjë rast, nuk kam marrë e nuk do të marr asnjë përfitim material përmes pushtetit që ushtroj, e prej ku familjarët e të afërmit e mi nuk kanë marrë kurrë, në asnjë rast, as edhe një trajtim të veçantë falë pushtetit që ushtroj.
Mbase edhe pse jam informuar që i vogël, se vdekja nuk është thashethem dhe kam mësuar më pas se në botën tjetër nuk pijnë ujë as paraja e as titujt e pronësisë, më kanë interesuar gjithnjë të tjera gjëra të kësaj bote, ku për mua nuk ka gjë më të madhe se sa të lësh gjurmët e një kujtimi të mirë tek ata që ke përreth dhe ku privilegjin e epërm për të ndryshuar për mirë vendin ku je lindur, duke justifikuar besimin e atyre që ta kanë dhënë, nuk ka para, prona e pasuri materiale që mund ta konkurojnë.
Jo 22.4 ha pyll dhe kullotë, po sikur detin e tërë të ma bënin kos, nuk do ta pranoja në këmbim të kënaqësisë së një dite të vetme si kjo në detyrë, kur Himara u gdhi e çliruar nga mjegulla e gjatë e një historie për t’u shkruar njëherë tjetër.
Ky jam unë dhe tekefundit duhet t’u them faleminderit atyre që me pahirin e një maskarade, më detyruan të tregoj një histori konkrete të dallimit tim të madh me ta dhe me këdo u bën duva a mendon si ata për mua, sepse vetë pa shkak, nuk do ta tregoja ndonjëherë këtë histori.
Me dashuri nga Himara
I Juaji gjithmonë