Sezoni turistik në Sarandë, Çipa: Ka mungesë rojesh bregdetare, pritet situatë e pakontrolluar me skafet e motorët e ujit
Kreu i shoqatës së Operatorëve Turistikë në Sarandë, Arben Çipa, tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se situata me skafet dhe motorët e ujit pritet të jetë e pakontrolluar këtë vit, pasi informaliteti është ulur këmbëkryq.
Çipa po ashtu konfirmoi se në disa plazhe të Jugut ka mungesë të rojeve bregdetare. Çipa e konsideroi këtë vit si vendimtarin për të parë nëse vendi ynë mund ta përballojë fluksin turistik.
“Saranda disponon vetëm dy plazhe të vegjël publik, dhe në njërin prej tyre rojet bregdetare janë prezente. Ashtu siç kemi problem në fushat e tjera me stafin, ashtu kemi edhe në plazhe, dhe ky problem është i shpërndarë në të gjithë territorin. Është diçka që s’e kemi konstatuar si hall të madh pasi merremi me çështje të tjera, dhe s’jemi fokusuar në këtë pjesë. Kjo është situata, dhe mungesa është mungesë. Vala e problematikave lidhur me stafin ka prekur edhe këtë pjesë. Sa i përket sinjalistikës nga bashkia janë marrë masat. Mirëpo konstatoj skafet janë në një numër të ekzagjeruar të madh të instaluar në Sarandë, pa lejet përkatëse, për ta pasur si pronë dhe ushtruar aktivitetin. Edhe te anijet turistike kemi një problem, që s’është kompletuar me përfundimin e procedurave të dokumenteve për zhvillim aktiviteti. Bashkia e ka hapur para tre ditësh, për ta mbyllur në kohë. Situata me skafet dhe motorët e ujit do jetë e pakontrolluar, pasi informaliteti është ulur këmbëkryq dhe kontrollet s’janë bërë në nivelin e duhur, ose s’ka arritur koha fizike për kontrollet.
Ky vit është viti final i testimit nëse do ta përballojmë fluksin turistik, që do jetë vendimmarrës për vitin e ardhshëm. Kemi ezauruar të gjitha mundësitë, duke sjellë edhe staf nga jashtë. Analiza që do nxjerrim në tetor, mund të na nxjerrë edhe rezultate negative, sa i përket shërbimit. Numri i punonjëse të huaj është minorancë, por duke marrë parasysh CV-të, duke i testuar, tregojnë një dëshirë dhe përgjegjshmëri që puna do shkojë mirë. Në Vlorë ka një pikë informacioni, por në pozicionin ku ndodhet, s’është përzgjedhja më e mirë e mundshme. Duhet zhvendosur në një pikë referencë, ku vizitori të ketë kontakt”.