Sekuestroja e Portit të Limionit, Rama: Vendim absurd! Kanë ndërhyrë në kompetencat e sovranit në emër të NATO-s
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur në Asamblenë e PS-së, tha se vënia nën sekuestro preventive të planit të investimit për Portin e Limionit në Sarandë, është absurde.
Kreu i qeverisë tha se po ndërhyhet në kompetencat e sovranit në emër të NATO-s, duke e cilësuar këtë veprim si arbitrar dhe që mund t’i kushtonte shtetit shqiptar qimet e kokës në rast se investitorët e huaj do të ishin cinikë ta çonin në Arbitrazh.
‘Në një bisedë që pata me disa kryetarë bashkish, jo të forcës sonë politike, Puka, Fushë-Arrëz, Memaliaj, zona të thella, diskutuam edhe për këtë; reparte ushtarake si fantazma të cilat bashkitë e zonave malore mund t’i kthejnë fare mirë në asete për të kërkuar mbrapsht investime nga emigrantët e këtyre zonave në fushën e turizmit apo agroturizmit. Madje absurdi arrin deri në pikën ku merret peng me sekuestro preventive, në emër të NATO-s një investim me rëndësi strategjike, 200 milionë euro, rreth, në limionin e Sarandës, i cili qysh në kohën e Zogut ka pasur plan zhvillimi për Marinë turistike dhe është pjesë e Programit tonë qeverisës, ndërkohë që prej 2 a 3 vjetësh rri i bllokuar se hetohet mënyra sesi është lidhur kontrata.
Unë nuk dua të komentoj, nuk e bëj asnjëherë, arsyet e atij hetimi, kjo nuk është puna ime, ama nuk duhet një diplomë në juridik për të kuptuar se të hetosh sesi u lidh një kontratë e shtetit me një sipërmarrje private, nuk të jep asnjë të drejtë ta bllokosh investimin e asaj sipërmarrjeje, aq më tepër ta bësh këtë në emër të NATO-s dhe të sigurisë kombëtare, duke e bërë NATO-n të qeshë, kur e dëgjon këtë histori dhe duke ndërhyrë në kompetencën e një pushteti tjetër të pavarur, i cili është sovran në vendimmarrjet e veta për sigurinë kombëtare.
Ky është një arbitraritet i hapur që mund t’i kushtonte shtetit shqiptar qimet e kokës në rast se investitorët e huaj do të ishin cinikë ta çonin në Arbitrazh, por e solla këtë këtu për faktin se kjo buron nga një arbitraritet që shkon shumë përtej horizontit të një hetuesi dhe lidhet me një mendësi të vjetër dhe të gabuar për mbrojtjen e kohëve të sotme dhe për atë që duhet të bëjmë ne në funksion të mbrojtjes.’- tha Rama.