Tepelenë/ Bashkia investon në 5 vepra të tjera publike

Bypass-i i Tepelenës, është një nga veprat e rëndësishme që konsiderohet si ‘kurora” e infrastrukturës kombëtare, pjesë e aksit Veri-Jug, që ka transformuar zhvillimin urban në jugun e vendit. Ndërkohë që bashkia Tepelenë po investon paralelisht edhe në 5 vepra të tjera publike.
Bashkia Tepelenë bën të ditur se, investim i ri në bypass-in e Tepelenës i ka dhënë një hov të ri zhvillimit ekonomik, por dhe turistik të gjithë qarkut. Ndërkohë që ky projekt bën lidhjen e dy segmenteve rrugore të rëndësishëm, Levan-Tepelenë me segmentin Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë.
Kryetari i bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi shprehet lidhur me realizimin e këtij investimi me fondet nga buxheti i shtetit se, “projektimi i bypass-i të Tepelenës është padyshim vlera më e madhe e investimit, që do të përmbyllte përfundimisht historinë e një qyteti, ku duhet të hyje me patjetër pa të zënë nata” .
“Tashmë nuk kemi vetëm një rrugë me standarde që shmang me dhjetëra aksidente, por një pamje dinjitoze e një ballkoni që rrallë qytete e kanë fatin ta shijojnë në çdo mëngjes e mbrëmje”, shprehet Peçi.
Kryetari i bashkisë Tepelenë bën të ditur se, “pas përfundimit të bypass në hyrje dhe dalje të qytetit puna po vazhdon ndërkohë me rehabilitimin e Urës së Beçishtit, shëtitoren përreth kalasë, mbikalimin edhe shtegun që të çon në vendlindjen e Ali Pashës  si edhe rikostruksionin e shtratit të lumit Vjosë, duke zgjidhur kështu përfundimisht problemet e përmbytjeve gjatë sezonit të dimrit, që ishte shqetësim për të gjithë banorët e Gurrzës”.