Saranda “kantier ndërtimi” – Po rikualifikohen shumë rrugë, lehtësira në infrastrukturë
Përgatitjet për një sezon të ri turistik, edhe më të fuqishëm se ai i vitit 2023, nuk kanë lënë pa prekur edhe infrastrukturën rrugore të Sarandës. Rrugët kryesore mbi shëtitoren janë duke iu nënshtruar një rikonstruksioni tërësor. E dallueshme është se rrugët ku po ndërhyhet, do të ofrojnë më shumë mundësi lëvizjeje më këmbë, duke shtuar dukshëm gjerësinë e trotuareve dhe duke ngushtuar korsinë e automjeteve, çka bën të detyrueshëm qarkullimin pa shpejtësi në qytet.
“Po mundohem me mekanizmat tanë, që dhe bizneset të kenë aksesin e vet dhe të eci puna. Hapim ato pjesë aksesh që të kemi mundësi ti mbyllim fund prilli fillim maji”, tha Zëvendëskryetar i bashkisë Sarandë Elton Dauti.
Më shumë imazh dhe funksione pedonaleje, do të kenë pas investimit, edhe rrugët që qarkojnë Parkun Miqësia të njohur si Shatërvani.
“Ka një investim te pjesa e parkut “Miqësia” që është rikonceptimi ndryshe i shatërvanit, sistemimi komplet, rrugicat e betonit”, tha Elton Dauti.
Përmirësimet e projektuara pritet të shtrihen edhe brenda hapësirave të Shatërvanit, i cili do të organizohet me një koncept të ri, për të ofruar më shumë çlodhje e rekreacion, për të gjitha moshat.