Investuan qindra mijëra euro, si u mashtruan dy investuesit kosovarë në Sarandë

Në vitin 2019 dy gjakovarë kanë investuar mbi 150 mijë euro për hapjen e një restoranti në Sarandë te prona e Shkëlqim Muskajt, përmes kontratës 8 vjeçare me qira të parapaguar. Nga viti 2022 qiramarrësi bllokon punën e restorantit me arbitraritet dhe skema mashtruese. Gjykata dhe policia e Sarandës bëhen pjesë e skemës në dëm të investuesëve.

Historia fillon kur dy kosovarë nga Gjakova, Arsim Nelrexhepi dhe Met’hat Këpuska, lidhën kontratë të qiramarrjes të noterizuar mbi shfrytëzimin e një lokali shërbimi, të bar-restorantit me sipërfaqe 131,5 metra katrorë në Sarandë, me pronar Shkëlqim Muskaj.

Vendi i marrë me qira gjendej në Sarandë në rrugën Butrinti. Duke parë se është vend i mirë për të shtrirë biznesin e tyre të gastronomisë, kosovarët kontratën e qiramarrjes e lidhën me afat 8 vjeçar – nga data 29 mars 2019 deri në datën 29 mars 2027.

Lartësia e qirasë për lokalin ishte 35.000 (tridhjetepesëmijë) lekë në muaj, e parapaguar në shumën e plotë prej 2 milionë e 940 mijë lekë për 8 vjet shfrytëzimi.

Për rregullimin e lokalit, që u pajtua në gjendjen e parafabrikatit pa pajisje për punë gastronomike, Nelrexhepi dhe Këpuska investua mbi 100 mijë euro për meremetime, gëlqerosje, pllakosje dhe blerje të gjithë pajisjeve për kuzhinën, sallën e restorantit dhe tualetin.

Në vitet 2019, 2020 dhe 2021 lokali është hapur dhe ka punuar në intervalet 4 mujorë gjatë sezonit verorë, ndonëse me vështirësi pasi që ishte përhapur pandemia.

Terasa e renovuar

Në këtë periudhë, me pronarin Shkëlqim Muskaj dhe familjen e tij, Nelrexhepi dhe Këpuska bashkëpunuan ngushtë edhe në pasurimin e ofertës turistike gjatë sezonit pasi që familja Muskaj ndërtoi një hotel në katet e sipërm mbi restorantin.

Investim shtesë i dy gjakovarëve ishte edhe blerja e një autobusi me të cilin u organizuan vizitat e grupeve të turistëve nga Kosova, ku Shkëlqim Muskaj, pos që përfitonte nga akomodimet e vizitorëve në hotel, paguhej edhe si shofer i autobusit.

Por, në vitin 2021 qiramarrës Muskaj kërkon ndryshimin e kushteve të kontratës së vitit 2019.

Pos kërkesës për rritjen e qirasë, ai ndryshon edhe sjelljen bashkëpunuese duke marrë vendime arbitrare në kundërshtim me kontratën.

Pasi që Nelrexhepi dhe Këpuska kishin investuar goxha mjete për rregullimin e restorantit, ata pranuan që qiraja të rritet. Më 2 korrik 2021 nënshkruajnë kontratën e dytë të qirasë, e noterizuar në zyrën e noteres Laureta Tare.

Qiraja shtesë vendoset në vlerën prej 1 milionë e 200 mijë lekë në vit, për periudhën 28 qershor 2021 deri në 29 mars 2027, që përputhet me afatin e skadimit të kontratës së parë, me çka nënkuptohet se kontrata e dytë është aneks i kontratës së parë.

Në qershor të vitit 2022, Nelrexhepi dhe Këpuska vijnë në Sarandë për të filluar përgatitjet për hapjen e sezonit turistik, por kuptojnë se, përkundër obligimeve nga kontrata e plotësuar, qiradhënësi Muskaj kishte larguar të gjitha pajisjet e restorantit duke pamundësuar vazhdimin e shfrytëzimit të lokalit për biznesin për rregullimin e të cilit kishin investuar rreth 100 mijë euro.

Shkatërrimi i lokalit

Paditë rreth ligjshmërisë së kontratave dhe veprimeve të palëve

Më datën 22 qershor 2022 Arsim Nelrexhepi dhe Met’hat Këpuska deponuan para-kallëzimin e veprës penale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së parë në Sarandë, kurse një ditë më pas depozituan edhe padi në Gjykatën e shkallës së parë në Sarandë kundër veprimeve të qiramarrësit Shkëlqim Muskajt.

Ishte data 24 qershor kur Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë lëshon urdhrin për masën e sigurisë së padisë (ndalimi i punimeve në lokalin e dhënë me qira që sipas kontratës është në shfrytëzim të paditëseve, qirapaguesëve Nelrexhepi dhe Këpuska).

Vendosja e masës së sigurisë

Në ndërkohë Gjykata ka mbajtur 6 seanca gjatë vitit 2023 dhe një seancë në vitin 2024, dhe ende vazhdon me seanca, kështu që ndalesa e veprimeve rreth lokalit mbetet në fuqi.

Megjithatë, krahas seancave në gjykatë familja Muskaj më 22 shtator 2022 ka ndërmarrë një manovër të kundërpadisë ndaj pretendimeve të Nelrexhepit dhe Këpuskës, ku Hava Muskaj dhe Enea Muskaj, përndryshe, bashkëshortja dhe djali i Shkëlqim Muskaj, e kanë paditur burrin dhe babin e tyre, si dhe qiramarrësit Nelrexhepi dhe Këpuska, se pa dijeninë e tyre kanë lidhur kontratën për shfrytëzimin e lokalit duke kërkuar anulimin e kontratës.

Pa dijeninë e Nelrexhepit dhe Këpuskës se ekziston padija kundër tyre, sepse nuk ishin informuar fare me arsyetim të pabazë se Gjykata nuk e ka ditur adresën e tyre, gjyqtarja Suela Xhani, e cila e ka shqyrtuar padinë, merr vendimin se kontrata e qirasë për lokalin “është absolutisht e pavlefshme” ku nga Nelrexhepi dhe Këpuska kërkohet që “të lirojnë dhe dorëzojnë sendin që e posedojnë në bazë të kontratës”.

Nelrexhepi dhe Këpuska deri më 24 janar 2024. nuk kanë qenë fare të njoftuar për padinë dhe këtë vendim të gjykatës.

Ata vetëm disa ditë para skadimit të afatit për ankimim janë njoftuar për vendimin.

Nelrexhepi dhe Këpuska që shkuan në Shqipëri për të investuar, përfunduan dyerve të gjykatave të Sarandës.

Ata janë dëmtuar dhe maltretohen në mënyrë të paskrupullt në të drejtën e tyre që në bazë të kontratave të noterizuara të shfrytëzojnë hapësirën për të cilën ka paguar qiranë deri në vitin 2027.

Lidhur me këtë çështje, Albanian Post ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ajo e Brendshmja, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Kryetarja e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, Naureda Llagami, Avokates së Popullit, Erinda Ballanca, Prokurorisë së rrethit Gjyqësor të Sarandës, që kryesohet nga Kledian Llaho, ambasadës së Shqipërisë në Kosovë dhe asaj të Kosovës në Shqipëri, mirëpo nuk është kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.

Ndërsa, padia e anëtarëve të familjes Muskaj, të gruas dhe të birit, që argumentojnë se nuk kanë qenë në dijeni për kontratën e Shkëlqim Muskajt me dy investuesit, është një skenë mashtrimi absurde, sepse që nga viti 2019, kur kanë nisur investimet e pastaj edhe puna e lokalit, është e pamundur se nuk kanë qenë në dijeni se investuesit po e paguajnë qiranë në bazë të kontratës, por e kanë kërkuar nga gjykata prishjen e kontratës vetëm pasi që familja Muskaj, përfshirë burrin që po ashtu paditët, ka vendosur  t’i heq qafe dy investuesit, përmes prishjes së kontratës.

Atyre u doli në ndihmë gjykatësja Suela Xhani, që me truke procedurale të mosnjoftimit të të paditurëve, e as përfaqësueseve të tyre ligjorë, merr vendimin e anulimit të kontratës valide rreth një çështjeje rreth të cilës po në atë gjykatë po zhvillohej një proces tjetër padie që pronën e kontestuar e ka vënë nën masën e sigurisë.

Përndryshe, gjykatësja Suela Xhani, çështjen e lokalit të Muskajve e ka pasur lëndë të fundit në Gjykatën e Sarandës, pasi që në ndërkohë e ka lëshuar punën dhe tani jeton në Durrës.

Nelrexhepi dhe Këpuska kanë frikën se i gjithë investimi do t’u shkojë dëm, duke u shkaktuar kështu qindra mijëra euro humbje, për shkak të mashtrimit brenda të cilit u gjendën.

Me shpresë se sistemi i drejtësisë në Shqipëri funksionon, at ai janë futur një beteje juridike, e cila prapë rezukton me pengesa të pakuptueshme.

Ata kanë mbetur në vajtje ardhje Kosovë – Sarandë duke u marrë me probleme që kurrë s’do t’i kishin menduar. (Albaniapost)