Personazh: Miku i veterinerëve, mjeku i barinjve

Nga Thoma Nika

Agim Nelaj është cilësuar “Njeriu i vitit”. Është shpallur i tillë nga Instituti Amerikan i Biografive. Për herë të tretë më 2011. Më herët akoma, më 2002, u cilësua “personaliteti më intrigues i vitit”. Publikimet vinin nga Instituti i Biografive dhe Personaliteteve të shquara të botës, në Karolina të SHBA.
Agim Nelaj ishte atëherë në pozicionin e shefit të departamentit të veterinarisë në drejtorinë e bujqësisë dhe ushqimit në qytetin e Sarandës. Tashmë është një veteriner në pension. Por mik e mësues për çdo veteriner në Sarandë dhe “doktori” i barinjve, i familjeve fshatare, nga Konispoli në Borsh.
Agimi ka profil studjuesi dhe prirje shkencëtari, i njohur në fushë të veterinarisë. Sa në qarqet shkencore të vendit dhe botës, aq edhe ndër blegtorët e trevës jugore. Për autoritetin dhe kapacitetin shkencor, mes kolegëve thirret “profesor” e mes barinjve “doktor”. Me energjinë e tij intelektuale dhe profesionale, por edhe me fuqitë fizike, që sfidojnë disa vite përtej të 80-ave. E kuptueshme që Agimi nuk gjendet fizikisht pranë tyre njësoj si 20 vite më parë. Por vijnë ata dhe i marrin këshillën dhe asistencën teknike, që u nevojitet.

LOPA ME TOP PLASTMASI NË BARK

Duke përmendur kryerjen e operacioneve shpëtimtare të lindjeve të vështira me metodën cezariane në gjënë e gjallë, kemi treguar një prej cilësive të shkencëtarit dhe njeriut të zgjidhjeve praktike, që ai nuk përtoi ndonjëherë t’i japë. Jo vetëm nga pode konferencash, por edhe pranë stallave, apo oborreve shtëpiakë të fshatarëve, që janë miqtë e tij më të mirë. Vite më parë në Vromero të Finiqit, do të bënte operacionin më të mediatizuar, me shpëtimin e “fabrikës së qumështit” të një familjeje fshatare. Edhe për doktorin vetë ishte një gjë e pandodhur, që nga barku i lopës të nxirrte një top disametrash me plastmas, të gëlltitur e të depozituar në stomakun e saj prej shumë kohësh.

TE FARMACI “ALBA”

Farmacia e tij është vendi ku gjen medikamentin e duhur, këshillën e vlefshme, por edhe mallin e mirë. Ajo është edhe farmaci ku merret receta, edhe klinikë ku jepet asistencë për bariun dhe fermerin, edhe marketi, ku gjen që nga kosheret e bletëve, tek kanarinat dhe qentë. Është një farmaci që funksionin pa banak, por si një
Market me rafte, me shumë mall, me shumë lëvizje dhe blerës.

E reja që vjen nga shitjet në të është e lidhur me qentë. Interesante është se ka marrë përhapje mbajtja e një qeni familjar. Profesor Agimi na shpjegon se ka qen gjahu, qen stani, qen roje të objekteve. Por ai konstaton me kënaqësi se qen familjarë Saranda numëron tani jo më pak se 400 krerë. Këtë shifër disi të habitshme për një qytet me më pak se 50 mijë banorë, mjeku veteriner i Sarandës Agim Nelaj, e jep për të dalë diku tjetër: që të shumtët e zotëruesve të tyre i drejtohen dendur farmacisë dhe eksperiencës së tij. Për të bërë vaksinime, për të marrë ushqimet e duhura dhe për t’u këshillluar për shqetësimet e lindura.

Të tjerë, farmacinë buzë rrugës që çon në gjimnazin e qytetit, e kërkojnë për ta patur në shtëpi një qen nga ata që reklamohen dhe shiten në farmacinë veterinare më të frekuentuar.

NJË QEN “BOTËROR”, SA NJË KOSTUM FIRMATO

Në një nga faqet e murit të lokalit, që është bërë shumë i njohur edhe për të veçantat që ofron, vendin më të dukshëm e ze një poster i stërmadh. Ajo që ai u prezanton klinetëve dhe kalimtarëve, janë 160 racat e qenve të botës. Njeri më interesant e i dëshiruar se tjetri. Dhe më tej, në dy kafaze gjenden mostrat e gjalla, dy qen tërheqës në pamje, vështrim dhe qimen e shndritshme. “Janë të një race të preferuar”-thotë Agimi.

Dhe ja çfarë ka ndodhur në farmacinë e tij. Në 13 vjet aktivitet, ka arritur tani që shet edhe 4-5 qen në javë, që në një vit shkojnë 150 krerë. Ndërkohë që çmimi i tyre nuk është i përballueshëm e i kapshëm nga kushdo, pasi barazohet me një kostum “shik”, që do thotë se nuk bën më pak se 400 uro, në moshë kafazi.

QENI, KAFSHA MË ANTISTRES

– Pse e duam qenin? – pyet ai, për t’u përgjigjur po vetë.

Për këtë Agimi i referohet një filozofi italian, që ka thënë se “Sa më shumë njoh njerëzit, aq më shumë i dua dhe respektoj kafshët”.
Në bisedë e sipër, Agimi shfleton librin kushtuar qenit, të suedezit George West, shkruar më 1870. Ndalet aty ku shkruhet se qeni është miku i vetëm absolut. Dhe argumenti kryesor është ai se qeni është kafsha tipike jo egoiste. Këtu qëndron edhe sekreti i zgjedhjes së saj, për t’i bërë shoqëri njeriut. “Qeni mendohet se është një qenie zbutëse me shpirtin joegoist në këtë botë njerëzore egoiste”- perifrazon bashkëbiseduesi.
Arësyet e shtimit të krerëve të qenve dhe të afrimit të njeriut me qenin, mjeku veteriner me eksperiencë e sheh në disa pikëvështrime. Ai thotë se njerëzit tashmë, në masë, kanë shkuar jashtë vendit dhe kanë parë se sa i afruar dhe konfidencial është njeriu i sotëm, me kafshën simbol të besnikërisë. Veç kësaj, sipas tij, jo pak njerëz janë të ndikuar në mbajtjen e qenve familjarë nga filmat që shohin. Sikurse nuk është pa ndikim edhe vëzhgimi i sjelljes së disa njerëzve me qentë që kanë sjellë nga jashtë. Ata janë bërë tërheqës dhe interesantë për shumë sy që i kanë parë, se si ata e ledhatojnë kafshën e ëmbël. Dhe kjo dalëngadalë ka ardhur e është ndjekur si një modë, sidomos nga vajzat e reja dhe zonjat.

Veterineri hedh poshtë edhe hamendjet akuzuese, që ngrenë në mendimin e tyre mjaft njerëz, që mbajtjen e qenve e lidhin me nevoja për të kryer akte seksuale, pa u marrë vesh nga askush. Ai sqaron se me qenin nuk është e mundur të realizohen akte seksuale.

– Me ta – sqaron ai – mund të kompensohen vetëm përkëdheljet dhe lëpirjet.

Por e rëndësishme, sipas tij, është se në masë qeni familjar ka nisur të bëhet “i shtëpisë” gjithnjë e nga më shumë njerëz, që shohin dhe gjejnë tek qeni qetësimin e tyre, “kurën” e sigurtë antistres.

ÇERTIFIKATA NDËRKOMBËTARE

Mes të tjerash, mjeku sjell edhe një episod nga praktika e shërbimit të tij të përditshëm. Ndërkohë që policia bashkiake dikur, po rrallonte tufën e qenve për sezonin veror, duke ngritur armën kundër tyre, një qytetar i Sarandës ia arrin ta shkëpusë nga tufa “e dënuar me vdekje” një qen rrugësh ende të parritur. Dhe, me të zbardhur dita, shkon tek farmacia veterinare e Agim Nelajt. Ai nuk ishte i panjohur për mjekun, si për traumat familjare edhe për jetën me shpenzime modeste që bënte.

Prandaj dhe u çudit kur bashkëqytetari i kërkoi, me zë lutës, që qenit t’i bëheshin gjithë shërbimet që kish nevojë, për ta shkëputur përfundimisht nga “rrugaçëria” e për ta adoptuar si qen familjar.
Mjeku e finalizoi gjithçka bëri, me plotësimin e një çertifikate. Pasi e plotësoi atë, ia dorëzoi qytetarit të njohur, duke i thënë se çertifikata ishte ndërkombëtare dhe me qenin e tij, Lori, tashmë mund të udhëtonte në çdo shtet të botës.

I mrekulluar nga kjo, qytetari shprehu mirënjohje, por edhe habinë që shoqata e qenve e paska zgjidhur problemin e lëvizjes së lirë, më mirë se sa shoqëria njerëzore…

KËTU, QENDRA E BOTËS

Gama e problemeve që “ngacmojnë” doktorin, është e gjerë. Por ai ka aftësinë të zgjedhë brenda kësaj dendurie. Kujton se zgjedhja e tij për konkursin e universitetit të Karolinës në SHBA ishte nga më e thjeshta- nga ajo që ka të ndryshme e të dallueshme njeriu i brigjeve të detit dhe i qytetit të diellit, Sarandës. Një milion ishte numri i studjuesve që u paraqitën në atë konkurs të Karolinës. Mes tyre edhe Agim Nelaj, intelektual me zë e me kontribut të spikatur në qytetin e vogël e të skajshëm jugor të Shqipërisë. Në fokus të essesë së paraqitur ai vendosi pikërisht njeriun sarandit. E qysh në këtë zgjedhje, ai e kish siguruar suksesin.

– Veçoritë e karakterit, temperamenti impulsiv si mesdhetar-thotë ai-më bënë që të zhbiroj e të mos lë pa evidentuar edhe një potencë seksuale të dallueshme nga shumë vende të tjera të Europës.

Kjo nuk mund të mos e nxirrte të ndryshëm, origjinal e të dallueshëm nga 1 milionë essetë, punimin e Agim Nelajt.