Intelektualët e të gjitha komuniteteve të Sarandës bashkohen në prezantimin e “Betejës për 20 përqindshin” të Ardit Bidos

Intelektualët e të gjitha komuniteteve të Sarandës bashkohen në prezantimin e “Betejës për 20 përqindshin” të Ardit Bidos

Në mesin e dhjetëra intelektualëve të qytetit të Sarandës, mes të gjitha komuniteteve që përbëjnë atë qytet, u prezantua libri “Beteja për 20 përqindshin” e autorit Ardit Bido.

 

Në një panel diskutimi mbi publikimin të moderuar prej gazetarit Ermir Hoxha, krahas autorit Prof. Asoc. Dr. Bido, morën pjesë intelektualët e qytetit Gjergji Mano, Hekuran Halili dhe Esmeralda Kolaneci.

 

Në fjalën hapëse, Hoxha theksoi se është rasti i parë kur nisur nga një debat publik me rëndësi për vendin, përgatitet një libër studimor. “Shikojmë një tejmbushje të sallës që tregon interesin e lartë për një çështje delikate që ka dominuar debatin publik. Censusi është konfonduar me çështjen ‘Beleri’. Është i pari rast duhet thënë, kur një debat publik, pasohet nga një libër studimor. Në televizione shohim që njerëz pa kompetencë, flasin për gjëra që kërkojnë kompetencë.”, tha Z.Hoxha.

 

Bido nënvizoi se ky botim erdhi si nevojë për të rrëfyer të vërtetën mbi këtë zonë të jugut të vendit. “Ky libër erdhi si nevojë për të rrëfyer të vërtetën e zonës sonë në formë objektive, në ujëra që kanë nevojë për vijë të hollë që të mos trazohen. Nuk doja kurrë të bëja një libër që të përcaktonte sa shqiptarë a grekë, sa ortodoksë, myslymanë, bektashi e katolikë ka kjo zonë. Sepse në këtë zonë, bashkëjetojmë në mënyrë vëllazërore, të pangjyrë. Detyrohemi të flasim për përqindje për efekt të artificialitetit, që prodhohet nga nacionalizmat e të dy anëve, që nuk janë në këtë zonë por na vijnë nga jashtë, përmes nacionalistëve profesionistë dhe jo banorëve të këtushëm. “, u shpreh Bido.

 

Në vijim të fjalës së tij, Bido shtoi se përmes prodhimit të një 20 %-shi të paqenë, do të kanosej bashkëjetesa në harmoni e komuniteteve të zonës. “Ekziston një pakicë nacionalistësh profesionistë që hanë bukën, duke mbjellë përçarje. Arsyeja që kam fokusuar studimin tek Himara dhe Konispoli, që përtej se çfarë janë njerëzit vetë, ka një tendencë për ta shtuar si shifër. Ky libër tregon një tendencë të strukturave nacionaliste greke. Nuk është problemi i shifrës që del në Census, çfarë do prodhojë 20%. Do kishte tabela dygjuhëshe e gjithë zona, do ngrihej flamuri grek në gjithë zonën, shkollat do ishin dygjuhëshe. Nacionalistët shqiptarë apo ata grekë nuk duhet ta kenë problem që çdokush deklaron çfarë ndihet. Problemi i parë është artificialiteti. Problemi i dytë është se përmes artificialitetit triumfon ‘nacionalizmi profesionit’. E thonë profesorë grekë që Mursia është me shumicë dërrmuese ortodokse shqiptare. Nuk ka gjë më antigreke apo më antishqiptare të prodhosh një 20% të paqenë, duke përçarë komunitetet që jetojnë në harmoni. Kjo do të ketë implikime afatgjata.”, përmbylli Bido.

 

Gjergji Mano u shpreh se ky libër, në vazhdën e studimeve të mirënjohura, përcjell ndër të tjera një të vërtetë historike mbi Mursinë. “Më vjen mirë që këtu ka një auditor të zgjedhur. Unë kam bërë një studim mbi Mursinë, fshatin tim. Pasi lexova këtë libër, i shtova studimit tim elementin e qasjes moderniste të trajtuar nga Arditi. Dhe sikurse thonë këto studime tonat, si edhe studimet e bëra nga profesorë grekë, Mursia është një fshat shqiptar, por me një popullsi jo plotësisht shqiptare. Megjithatë, mursiotët kanë parë drejt Europës, ku komunitete me origjina të ndryshme, bashkëjetojnë në harmoni. Mursiotët zgjodhën të jenë europianë.”, tha Mano

 

Hekuran Halili vlerësoi botimin si të ardhur në çastin e duhur në shërbim të bashkëekzistencës në këtë zonë pavarësisht etnisë a fesë së kujtdo.

 

Më herët këtë muaj, “Beteja për 20 përqindëshin” u prezantua në Tiranë, ku në një forum të moderuar prej gazetarit Aleksandër Çipa, morën pjesë Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Prof. Dr. Paskal Milo, Prof. Dr. Irakli Koçollari, Prof. Dr. Eva Hyskaj dhe Prof. Dr. Fatmir Mema. Në këtë prezantim, ku qenë të pranishëm eksponentë të rrafshit politik, historik, fetar dhe diplomatik, botimi u vlerësua për dhënien e një udhërrëfyesi cilësor dhe sasior të barazpeshuar, në drejtim të njohjes së problematikave të shqyrtuara.

 

Pas një pritjeje mbresëlënëse në Delvinë dhe në Sarandë, turi i prezantimeve do të vijojë në Konispol, Vlorë dhe Himarë.