Ju tregoj Timon, siç nuk e njohët

Nga THOMA NIKA

Kur shkruante e botonte Timoleo Mërtiri, e kishte të sigurt lexuesin. Shkrimet e tij në gazetën “Bashkimi”, shpesh shkaktonin “tërmet” social. Për arësyen e thjeshtë se ai godiste fort dhe lart. Nuk kishte punë me “cironka” Timoja. Nga Kryetarë kooperativash, te Kryetarë Komitetesh Ekzekutive e Sekretarë të Parë në rrethe, ishin “shënjestra” e artikujve të tij problematikë.

Kanë mbetur si modele të gazetarisë së guximshme jo pak artikuj të Timos. Nisur nga shkrimi që tundi dynjanë: “Kokoshi i Gravës dhe Kryetari i kooperativës”, tek ai që shinjestronte sekretarkën e parë të Lushnjës, të cilës raportin e përgatitur nga Demkët e kohës, ia pati ngrënë dhia dhe nuk i bëri dot dy fjalë bashkë përpara kooperativistëve.

Çfarë e trimëronte penën e tij? Fakti i fortë e i pakundërshtueshëm dhe argumenti i drejtë.
Por kam njohur edhe një Timo tjetër. Përtej pasionantit për të bërë gazetari të vërtetë e përtej faqeve të gazetës, ai ishte njeri plot filozofi jete. Me një sjellje atipike dhe me një humor që i buronte edhe në situatat më të vështira, për ta bërë kapërcimin e tyre të lehtë fare, ndërsa u shtonte lezetin momenteve të bukura.

1. QAFA E PAZARIT E “MORI NË QAFË”

Zbriti në Gjirokastër, për të trajtuar se si funksiononte rrjeti i njësive me produkte gjysëm të gatshme. Çdo grua, të mund të lehtësohej nga barra e gatimit për familjen, pasi me një kalim nga dyqani i gjysëm të gatshmeve kur sa dilte nga puna, e zgjidhte gatimin e drekës, vetëm sa i hidhte ushqimet e bëra gjysëm gati për tigan apo për tenxhere.

Si funksiononte dhe si ishte përdorur kjo mundësi në Gjirokastër? Mori përsipër ta vëzhgonte pena e Timos. E gjeti mirë situatën në Qafë të Pazarit, ndërsa në lagjen Dunavat, zero. Ishte artikulli që hapte gazetën të nesërmen. Ishte si një goditje në shenjë dhe pati reagime të forta. Nga gjirokastritet nuk ishte e lehtë të pranohej se ishte bërë gjysëm pune me gjysëm të gatshmet. Por artikulli ishte mbërthyes, kishte përballje me fakte të dy situatave në të njëjtin qytet.
Fakti ishte me Timon, por fati jo. Iu quajt “nxirje e realitetit” dhe “qarje halli” për gratë e Gjirokastrës.
E tha “udhëheqësi”: Gazetarëve të tillë, gratë e Gjirokastrës u varin teneqenë. Dhe e pësoi: e çuan “të piqej” te gryka e furrës ku shkrihej çeliku, në Uzinën “Traktori”.

Por ai mbeti “traktor” i gazetarisë, edhe pas asaj “teneqeje” që i varën…

Akoma edhe sot, Timoleo Mërtiri, mbahet mend si gazetari, të cilin gratë e Gjirokastrës, e çmuan ca më shumë kur “I Madhi fare” u çoi porosi që “t’i varnin teneqenë”. Shkak i të dyja anëve të medaljes u bë se ai i tha në gazetë disa të vërteta, që nuk duheshin thënë. Por njerëzit duan njeriun që i ka “sahanët pa kapak”.

2. SI E PINTE KAFEN?

I veçantë. Si në shumë mendime, qasje dhe shprehi. Uleshim në kafene. Vinte kamarierja për të marrë porosinë. Kafe të mesme, kafe çamiko (të ëmbël), kafe shqeto, kafe ekspres…

Ishte radha e Timos për të porositur dhe kamarierja e pyeste: Si e pi kafen? Porosia e tij ishte “si në shtëpi”. Aspak për t’u dukur origjinal, por për të thënë një të vërtetë, që të gjithë e dimë, por shpesh e harrojmë: kafja shijon jo nga përzierësit që ka brenda, por nga dashuria me të cilën ti mundesh të përziesh kafen, sheqerin dhe ujin e vluar…

Kjo ndodhte kur shkonim me shërbim fshatrave, se në Sarandë e në Lukovën e tij, ia dinin që kafja e Timos porositej, bëhej dhe pihej “si në shtëpi”. Me dashuri.

3. LALI I SATËME…

Kur punonte mbi shkrime, nuk donte ta dinte kush e hynte e kush dilte nga zyra. Ai fliste me lapsin dhe me letren qe kishte përpara, deri sa t’i dilte rreshtit të fundit në fund.

Në këto e sipër, shfaqet para redaksisë një grua lukovjote, që vinte shpesh në Sarandë. Rruga e saj nuk kishte një drejtim të saktë. Por në këtë “pasaktësi” ajo kishte një pikë të saktë, që nuk harronte ta “freskonte” në çdo ardhje. I vinte mirë të kalonte nga zyra e Timo gazetarit, lukovjotit të saj në Sarandën e vogël, që Aspasisë i dukej e madhe.

Timos nuk i kërkonte asgjë të bënte për të, por ajo do të ndjehej si në turp, po të kalonte nga ajo rrugë ku ishte Redaksia e “Fitore”-s e të mos i fliste “fshatarit” të saj. Me këtë normë etike në mendje, kushedi për të sajtën herë, zgjat kokën për nga zyra derëhapur, ku ishte duke shkruar Timua dhe i flet në zhargonin lukovjot: “Lal Timo, çish jini?”. E përsëriti përshëndetjen e saj disa herë, por përgjigje nuk mori. Timoja e kishte në stilin e punës që, sikur bomba të binte aty pranë, nuk e linte penën, pa i vënë pikën e fundit artikullit që kishte në dorë. Por gruaja nuk kish ndërmend të shkulej pa dëgjuar Timon t’i fliste. E ai doli nga ajo gjendje impenjimi, duke mos e fshehur nervozizmin, që ishte një dalje nga vetja. “ Lali i satëme!”, i shfryu bashkëfshatares, që, me këmbënguljen e saj krejt të kotë, ia kishte dalë t’ia kishte këputur fillin e mendimit, pa e lejuar t’i vinte pikën e fundit.

4. PARTIZAN NË KËMBË TË BABAIT…

Timua ishte gazetar i luftës dhe nuk mungonte të shkonte për të festuar kur mblidheshin në përvjetorët e Brigadave Sulmuese.

Mirëpo ai plakej ngadalë, jo me të njëjtin ritëm si shokët e llogores dhe vërsnikët. Atyre diçka u afronte portreti i Timos, por pasiguria ishte më e madhe. Me një ftohtësi të shtirur, ai i takonte e u thoshte: Jam në këmbë të Babait, Timua na ka lënë!…Kështu u thoshte Timua.

Por kur shtroheshin e risillnin kujtimet e luftës, Timua harronte çfarë u kishte thënë dhe hidhej e bënte saktësimet e rastit. Ata e pyesnin tërë dyshim: Po ti nga i di këto?!
Timua sërish nuk dorëzohej dhe dilte nga situata duke u thënë “m’i ka treguar Babai”!

5. “MERRENI JU MAKINËN ME RROTA”

Na përcillte te dera e redaksisë, duke na thënë: merrni makinën me rrota dhe syrin e gazetarit dhe ikni. Mua më lini makinën e shkrimit dhe telefonin e zyrës dhe mos e kini mendjen te mbushja e gazetës, por mbushuni me jetë.

Me këto fjalë na përcillte në shërbimet tona cep më cep rrethit të dikurshëm të Sarandës. Dhe na priste prapë me dashuri, kur ne ktheheshim si varkat nga “gjuetia e faktit”,

Duke mos na i kursyer rekomandimet se si të gatuanim me faktin, me detajin. Se vetë ai ishte një penë që shkruajti ndryshe, duke thyer korniza e duke thyer mite “autoritetesh”.

Kush nga ne nuk do të donte të ishte si ai: me mendjen e hapur e të ftohtë, por edhe me zemrën e ngrohtë, me të cilën ndjeu dhe shkruajti çdo histori njerëzore që gjurmoi?!

Timua solli në shtyp dhe bëri dhe vetë jetën e njeriut të thjeshtë. Ai ishte përthithës i faktit jetësor, por edhe një memorje me megabit të lira, në të cilat sejvonte esencë nga leximi i librave dhe nga leximi që i bënte jetës dhe jetëve njerëzore.

Tek ai ishte syri i gazetarit, që vëzhgonte thellë, ndaj zëri që dilte nga pena e tij, ishte zëri që fshikullonte rreptë. Ai ishte një rezervat i mençurisë së kultivuar, të fituar nga jeta dhe të mësuar nga profesioni i gazetarit. Ai njihet si gazetari që nuk e lodhën ndonjëherë udhëtimet dhe asnjëherë nuk e kanë velur ato që ka memorizuar prej udhëtimeve të tij.

6. QEPAZE” NË 90 VJEÇ…

Po ai Timoleo, ishte njeriu i humorit të mençur e i batutave spontane, jo pak prej të cilave i kemi tatuazh në tru, të ngulitura në mendje, si fjalë të urta.
Zakoni i tij i përditshëm i përtej 90 viteve jetë, ishte të priste ardhjen e gazetës së ditës e mundësisht të ishte blerësi i parë i saj. I pëlqente që oksigjeni i frymëmarrjes së tij buzë Jonit, të përzihej me erën e freskët të bojës së gazetës dhe të rejat e ditës, që ai i lëçiste me një frymë, por edhe duke bërë selektimin e tij shumë të rreptë.

Në ditën më të veçantë të tij, atë të 90-vjetorit, kishte dalë edhe më herët se zakonisht te kioska e gazetave. Kishte një arësye më shumë, për ta bërë këtë. Në “Koha për t’u zgjuar” kishte dëgjuar se tek “Koha Jonë” ishte shkruar për 90-vjetorin e tij. Kuriozitet të parë kishte se kush prej miqve të vet të penës e të zemrës, e kishte mbajtur mend 7 gushtin, si ditëlindje të tij. Dhe artikullin ua kishte nisur tërë shqiptarëve, si në vend të tortës për atë ditëlindje. I erdhi edhe mirë edhe keq për këtë. Nuk është se nuk i tha vetes: “Ky Timoleo, që tërë jetën ia doli ta mbajë të fshehtë shifrën e vërtetë të moshës, ja ku bëhet sot “qepaze” në sytë e të gjithëve”.

Kush nuk e mësoi që ai “shkeli” të 90-at. E nuk mund të prisje që kjo t’i pëlqente, apo të merrte poza “kampioni”.

Se, edhe aq kohë sa jetoi përtej të 90-ave, ishte po ai: njeriu që ecte, si gjithnjë, me hap të shpejtë e gjithnjë krenarisht për atë që ishte.

Ai i bëri sfidë moshës në çdo moshë. Sepse dinte dhe bënte një gjë që nuk e bëjnë dot të tërë: jetoi jetën në çdo ditë dhe u plak ngadalë.

7. “KEQKUPTIMI”: TAKOHEMI NË 100-VJETOR

Po afronte 75-vjetori i Timos. Shëndeti i tij, në formën më të mirë. Sikur ato 15 vitet në pension nuk kishin kaluar nga ai. Jeta e tij lëvizte midis Sarandës dhe Athinës. Por ne, kolegët dhe miqtë e tij, nuk do ta hanim thatë, ta linim të kalonte ai goxha jubile, pa u ndjerë, pa trokitje gotash dhe pa e sjellë Timon në Sarandë, bashkë me harenë, që na krijonte.
Ishin bërë të gjitha muhabetet, ishin puthitur të gjitha. Deri edhe për një fond modest nga Bashkia, ishte marrë fjala.

Këto përgatitje i dinte mirë edhe Timua, se kishim folur në telefon deri në detaje. Ishte tërësisht i informuar për çfarë po bëhej e çfarë e priste këtej atë 7 gusht.

Një javë para asaj date, e marr në telefon, për të ditur saktësisht ditën kur do të gjendej në Sarandë.

– Për çfarë?- më thotë.

– Si për çfarë? – i them. – Për festën e 75-vjetorit tënd.

– Aaaa,- më thotë- jemi të keqkuptuar, e kemi lënë vërtet më 7 gusht, por në 100-vjetor, jo tani…