Butrinti “pa frena” në merkato, bind edhe ish lojatrin e Skënderbeut

Butrinti pa “frena”, bind edhe mbrojtësin Oltion Rapa Butrinti vazhdon te surprizojë në merkaton e verës. Sarandjotët kanë siguruar shërbimet e lojtarëve me shumë eksperiencë që kanë shkëlqyer në Kategorinë e Parë, por edhe në Superiore.

Pas afruan nga Luftëtari mbrojtësin Xhuljano Buxhelaj, mesfushorin Alesio Kolonja dhe sulmuesin Mario Mërkuri, Butrinti ka “peshkuar” së fundmi te Tomori, duke bindur fantazistin Klaus Alinani.

Lojtari delvinjot ka pranuar ofertën dhe ka dalë menjëherë në stërvitje nën urdhrat e trajnerit Neritan Novi. Mirëpo, surpriza më e madhe është rikthimi në Sarandë i mbrojtësit Oltion Rapa.

Sic behet me dije Butrinti ka arritur akordin me ish-lojtarin e Luftëtarit, Skënderbeut dhe Gjilanit është arritur marrëveshja dhe shumë shpejt pritet të zyrtarizohet nga klubi. Në kampionatin e kaluar 33- vjeçari ishte pjesë e korçarëve në Kategorinë e Parë. Rapa ka qenë më parë te Butrinti në vitet 2013-2015.

Me afrimin e tij trajneri Novi “blindon” mbrojtjen, ndërsa mësohet se është gjetur zgjidhja edhe për portën. Klubi ka arritur akordin me Forald Hoxhën, i cili ka dalë nga akademia e Partizanit dhe në sezonet e fundit ka qenë te Vora dhe Kukësi. Duke shtuar këtu edhe sulmuesin Ardit Jaupaj, që ka firmosur prej disa ditësh, numri i afrimeve te sarandjotët shkon në shtatë lojtarë. Mësohet se drejtuesit po kërkojnë të afrojnë edhe një qendërmbrojtës me eksperiencë, që bashkë me Rrapajn do të kompletonin këtë repart. Synimi është i qartë: ngjitja në Kategorinë e Parë.