Tragjike: Ky është 35- vjeçari që humbi jetën pas aksidentit në Qafë- Gjashtë

Kjo e mërkurë Bajrami është e zezë për Gjirokastrën. Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e sotme në qytetin e Sarandës, pasi një automjet ka përplasur një motoçikletë. Mësohet se si pasojë e goditjes që ndodhi në zonën e Qafë-Gjashtës ka ndërruar jetë drejtuesi i motoçikletë, 35-vjeçari nga Gjirokastra, Marsel Kasi.

Sakaq, trupi i viktimës është transportuar drejt morgut, ndërsa policia po heton për të zbardhur dinamikën e ngjarjes. Argjirolajm.net siguron pamjet pak pas aksidentit, por duke qenë shumë të rënda, vendosim të mos i publikojmë.

Marsel Kasi ishte i apasionuar pas motorave dhe hiking. Bashkë me një grup ai eksploronte shpesh zonat malore të jugut dhe jo vetëm. Argjirolajm.net i shpreh ngushëllimet familjes Kasi. Më poshtë njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit për ngjarjen.

Sot, rreth orës 14:30, në rrugën “Skënderbeu”, Gjashtë, shtetasi Marsel Kasi rreth 35 vjeç, duke drejtuar motomjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe si pasojë është përplasur me automjeti tip “Ford” me drejtues shtetasin Taulant Bita 45 vjeç. Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë drejtuesi i motomjetit shtetasi Marsel Kasi drejtuesi i automjetit tip “Ford” shtetasi Taulant Bita është shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të aksidentit.