Balluku: Në tunelin e Llogorasë janë betonuar afro 2 kilometra
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi sot ecurinë e punimeve në tunelin e Llogorasë, ku janë betonuar deri më tani afro 2 kilometra.
Balluku bëri të ditur se tuneli do të jetë gati në qershor të vitit 2024.
Zv/kryeministrja theksoi se, edhe punimet në tunelin e emergjencës kanë ecur me ritme të mira dhe se deri tani janë hapur rreth 5 mijë metra dhe mbeten për t’u hapur edhe 400 m.
“Po punohet për betonimin dhe hidroizolimin në të dy krahët e tunelit, në atë të Palasës dhe në atë të Dhërmiut. Tuneli ka 11 dalje emergjence dhe 6 vendpushime. Tuneli i emergjencës prej 5450 metra është pothuajse i hapur. Mbeten për t’u hapur edhe 400 m. Ky tunel përfundon në qershor 2024”, tha Balluku.
Sipas saj, me përfundimin e tunelit do të jenë të ndërlidhura të gjitha veprat infrastrukturore të jugut të Shqipërisë.
“Bajpasi i Vlorës do të ndërlidhet me rrugën e aeroportit të Vlorës, më pas me segmentin Orikum-Dukat. Ky segment lidhet me tunelin e Llogorasë, dhe në dalje, në Palasë, lidhet me segmentin Palasë-Dhërmi”, tha ministrja.
Ky tunel ka një ndikim të madh për zhvillim ekonomik të jugut të Shqipërisë dhe lidhjen infrastrukturore që do të bëhet me aeroportin e Vlorës.
Puna për ndërtimin e tunelit të Llogorasë me gjatësi 5.9 kilometra ka nisur më 14 nëntor të vitit 2021.
Tuneli i Llogorasë nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit, deri në urën e Palasës. Me një shpejtësi 50-80 km/orë, rruga do të përshkohet për 7-10 minuta.