Bizneset në Sarandë kërkojnë punëtorë për sezonin! Sipërmarrësja italiane: Rroga 80 mijë lekë, po s’ka kamerierë! Zyra e Punës: Problem kualifikimi

Nisja e sezonit turistik i gjen në vështirësi bizneset në Sarandë. Shkak është mungesa e krahut të punës. Pronarët e bareve e restoranteve nuk po gjejnë kamarier as me paga të larta. Stella Narciso, pronare e një picerie në Sarandë na tregon se 8 vite më parë kur erdhi nga Italia për të bërë biznes në zonën bregdetare gjente kamarierë me 40 mijë lek në muaj, sot nuk ka edhe pse pagat janë dyfishuar.

“Viti i parë që jemi këtu e deri më sot pagat janë rritur ndjeshëm  nga 40 mijë lekë që i kemi paguar tashmë kamarierët dhe stafin po e paguajmë me 80 mijë lekë të muaj plus sigurimet . Edhe kjo nuk ka sjellë efekt pasi nuk ka djem të interesuar për punë. E gjitha kjo po ndodh është tragjike sepse në fillimin e sezonit të mos kesh kamarier na vendos shumë në vështirësi, sepse gjëja më e rëndësishme për një biznes është të ketë staf të mirë”, thotë Narciso.

Emigrimi duket se është problemi kryesor. Siç Stella na tregon  mund të gjejë gra për në kuzhinë, por jo djem e vajza të reja për të shërbyer në piceri.

“Momentalisht më mungojnë vetëm tre punëtorë por unë në total dua të punësoj 10 persona, 4 kamarierë paraditë e 4 pasditë dhe njerëz në kuzhinë . Në kuzhinë kam gjetur zonja që duan të punojnë por kamarierë edhe pse oferta është e mirë nuk kam gjetur asnjë”, vijon sipërmarrësja italiane.

Nga ana e Zyrës së Punës në Sarandë na thuhet se ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit ka patur më shumë intersim nga bizneset për të kërkuar punonjës nëpërmjet kësaj zyre.

“Kërkesa nga bizneset ka qenë e lartë që në fillim të vitit 2023. Normalisht hasim problematike, sepse shumë njerëz janë të patrajnuar, ndaj kemi hapur kurset profesionale”, shprehet Iliana Shkurti, Përgjegjëse e zyrës së punës.

Zyra e Punës në Sarandë ka regjistruar nga bizneset rreth 60 vende pune të lira, por numri i tyre është disa herë më i lartë, nëse vëzhdojmë rrjetet sociale, ku operatorët turistik bëjnë shpallje çdo ditë për punëtorë. Mungesa e fuqisë punëtore vendase ka 2-3 vite që ndihet perhere e me fort, ndërsa “importimi” nga jashtë duket se nuk ka rezultuar i suksesshëm.