Rudina Selimi Liçaj: “Antoni Athanas” me të gjitha kushtet për t’u kthyer në rajonale
Në 14 prill me orientim të MASH, ZVA Sarandë-Konispol-Delvinë dhe shkolla e mesme profesionale Ekonomi-Hoteleri -Turizëm “Antoni Athanas” u organizua eventi “Dita e hapur”.
Eventi i mirëorganizuar u krye në kuadrin e Orientimit të karrierës për klasat e 9-ta. Ky projekt u mor shumë seriozisht nga pjesëmarrësit dhe kjo u duk nga numri i lartë i nxënësve, mësuesve dhe drejtuesve të shkollave që i dhanë ngjyra dhe serozitet eventit.
Shkolla “Antoni Athanas”, na thotë drejtoresha e shkollë znj. Rudina Selimi Liçaj, është angazhuar fuqimisht që përmes këtij eventi të zhvillojë një sensibilizim tek prindët e interesuar, që t’i sjellin fëmijët e tyre të ndjekin studimet për hoteleri – turizëm.
Ky angazhim nuk shtrihet vetëm për nxënës të Sarandës, Konispolit dhe Delvinës, por edhe më gjerë në rajonin e jugut, si nga Tepelena, Përmeti dhe Gjirokastra, me qëllimin dashamirës që të shndërrohet “ Antoni Athanas” në shkollë rajonale, kjo për faktin domethënës se plotëson një sërë kushtesh të domosdoshme si konvikt falas, ribursim të nxënësve që përshkojnë një rrugë për të ardhur në shkollë deri në 50 km, njëherësh edhe bursë falas për shpenzimet ushqimore.
Nxënësit për 6 muajt e parë përgatiten për tregun e punës. Kjo shkollë është katër vjeçare.
Me mbarimin e tre viteve të para nxënësit pajisen me një diplomë me kategori të pestë, për kamarier,kuzhinier, menaxhues hoteli apo recepsionist.
Në vitin e katërt me mbarimin e maturës shtetërore ky nxënës ka të drejtë t’i vazhdojë studimet e larta në të njejtat kushte si nxënësit e gjimnazit.