Rama lë spitalin pas operacionit: Do kthehem shpejt mes jush

Kryeministri Edi Rama la sot spitalin për të vazhduar protokollin e rikuperimit në shtëpi, pas ndërhyrjes së suksesshme për heqjen e apendisitit një ditë më parë në QSUT.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Rama falënderoi të gjithë ata që janë interesuar për shëndetin e tij, veçanërisht ekipin e mjekëve dhe infermierëve për përkujdesjen e tyre.

“Një falënderim nga zemra kujtdo prej jush që këto ditë është interesuar për shëndetin tim. Falë ekipit të përkushtuar mjekësor dhe pas ndërhyrjes së suksesshme, sot e lashë spitalin për të vazhduar protokollin e rikuperimit në shtëpi dhe pa mundur të gjej dot fjalët e mjaftueshme për t’i falënderuar mjekët e infermierët për përkujdesjen e tyre”, shkruan Kryeministri.

“Besoj se do të kthehem shpejt mes jush dhe edhe njëherë shumë faleminderit për mbështetjen tuaj. Ju dua shumë, Edi”, thuhet në mesazhin e Kryeministrit.

Kryeministri Edi Rama u diagnostikua me apendisit akut dy ditë më parë, pas kryerjes së disa testeve imazherike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza. Në bazë të rekomandimit të mjekëve të shërbimit të urgjencës, Kryeministri iu nënshtrua operacionit për heqjen e apendisitit, ndërhyrje e cila doli me sukses.