‘UNESCO’ në Gjirokastër, promovon isopolifoninë dhe xhubletë
Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay vizitoi Gjirokastrën, si një ndër qytetet që janë pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore.
Ajo vlerësoi faktorët lokalë dhe qendrorë për promovimin e vlerave të qytetit të gurtë si dhe nxori në pah historinë bashkëpunimit me Shqipërinë.
“Është vizita ime e parë zyrtare në vendin tuaj të bukur. UNESCO ka një histori të mirë të bashkëpunimit me Shqipërinë, gjatë mandatit tonë sa i përket kulturës, trashëgimisë kulturore, diversitetit kulturor, por edhe mirëmenaxhimi i ujit apo dhe edukimi”, tha Audrey Azoulay, drejtoreshë e përgjithshme e UNESCO-s.
Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s njoftoi se do të vazhdojë mbështetja konkrete me projekte edhe për vlerat e tjera të Trashëgimisë Kulturore Botërore që ka Shqipëria si kënga iso-polifonike e së fundi dhe veshja tradicionale e xhubletës.
“Unë kisha mundësinë të dëgjoja këngët isopolifonike, të cilat gjithashtu janë të vendosura në Listën e Trashëgimisë jo materiale të UNESCO-s. Ne kemi vendosur edhe xhubletën në listë, e cila është veshja tradicionale e grave. Pra, siç e shikoni kultura është e gjithanshme, sitet, ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, traditat, po ashtu edhe industria e kulturës”, u shpreh Azoulay.
Prej vitit 2005 qyteti i Gjirokastrës është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s, duke ndikuar ndjeshëm në rijetëzimin e vlerave historike, ndërtimore dhe zhvillimin e turizmit.