VIDEO/ Vlora hap sezonin turistik. Dritan Leli zbulon detajet

Ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë vit për shkak të COVID-19, pushimet do të kryhen nën kushte strikte higjieno-sanitare. Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me atë të Turizmit  kanë shpërndarë protokollet e higjienës për parandalimin e COVID-19, por strukturat akomoduese ende nuk kanë nisur zbatimin e tyre. Por, pavarësisht situatës, bashkia Vlorë ka çelur zyrtarisht sezonin turistik.

Pa bujë dhe pa festë, në një organizim modest, kryebashkiaku Dritan Leli tha se do të bëhet gjithçka për të garantuar pushimet e vizitorëve. Në një lidhje live me Euronews Albania, kryetari i Bashkisë së Vlorës, zoti Dritan Leli zbuloi më shumë detaje mbi çeljen e sezonit.

Z. Leli u shpreh optimist se vlonjatët do të dinë të tregojnë qytetari edhe në këtë pikë, pasi sipas tij treguan anën më të mirë gjatë periudhës së gjatë të karantinës, teksa shtoi se nevoja për të çelur sezoni vjen bashkë me dëshirën për të dhënë pak optimizëm pas periudhës së mërzitshme që kaluam.

“Ajo që kemi nevojë tani pas një periudhe pas një karantine të gjatë të lodhshme stresuese  është nevoja për pak optimizëm. Dhe këtë u desh ta organizonim në bashkëpunim me të gjithë operatorët turistikë, me iniciativën e tyre dhe mbështetjen time personale për të dhënë pak optimizëm tek ajo industri që duket se është më e prekura e ekonomisë shqiptare, turizmi.

Jemi në situata të pazakonta dhe nuk mund të pretendojmë të kemi hapje ceremoniale të sezonit turistik ashti si çdo vit tjetër, përkundrazi me ceremoni modeste, duke respektuar distancës sepse në radhë të parë duhet të ruajmë shëndetin e njëri-tjetrit.

Të bëjmë turizëm aq sa kushtet do të na lejojë pasi pandemia është aty, por ngelet e rëndësishme të japim shpresë dhe të pretendojmë të bëjmë turizëm aq sa të mundemi”, tha ai.

I pyetur lidhur me çmimet që do të aplikohen këtë sezon, nisur edhe nga shifrat abuzime që qarkullojnë në media, z. Leli u shpreh se një situatë të tillë nuk e ka vërejtur në Vlorë, ku siç tha sapo kanë nisur aplikimet për sezonin turistik, por shtoi se është mirë që rastet sporadike të mos përgjithësohen.

“Ne kemi nisur të orientojmë bizneset e plazheve që të përshtatin strukturën e tyre me situatën e krijuar. Rastet sporadike nuk duhet të përgjithësojnë mikpritjen tonë turistike, është e rëndësishme të promovojmë vlerat pozitive”, tha kryebashkiaku i Vlorës.

Nisur nga fakti që këtë vit më shumë turistë vendas do të vizitojë Vlorën, kryebashkiaku Leli tha se takimin me operatorët turistike, të cilëve iu kishte lënë porositë e fundit për ditën e hënë, e kishte mbajtur në një far, me shpresën që siç tha, ai far të jetë udhërrëfyes që shqiptarët të zgjedhin Vlorën për të pushuar sivjet.

“Ditën e shtunë kam pasur një takim me operatorët dhe në mënyrë simbolike zgjodha një zonë ta pashfaqur ndonjëherë në media, nga ato territore që duhet të zbulohen në Vlorë, pikërisht një far në zonën e Triportit për t’u thënë të gjithë shqiptarëve që ashtu siç fari është udhërrëfyesi i detarëve, ashtu edhe ky far dua të jetë udhërrëfyesi i të gjithë shqiptarëve për të zgjedhur Vlorën si destinacionin turistik të kësaj vere, dhe ky jo pa qëllimi është drejtuar shqiptarëve asi këtë vit do të kemi më shumë vizitues nga trevat shqiptare.

Kam folur me operatorët të cilëve iu kam thënë që të nisin përgatitjen e restoranteve në ambient të hapur, në mënyrë që të jenë gati për ditën e hënë. Ata kanë bërë çdo gjë për të ruajtur distancën dhe çdo gjë do të varet nga fluksi i turistëve që ne do të kemi”, tha z. Leli.