PD: Roland Bejko u dhunua se nuk i shërben interesit të Berishës

Partia Demokratike reagoi sot lidhur me dhunën e protestuesve ndaj anëtarit të Kryesisë qendrore të PD-së Roland Bejko, para selisë së kësaj partie.

Në një deklaratë për shtyp, PD thekson se “dhuna e mercenarëve të Sali Berishës ndaj anëtarit të Kryesisë qendrore të PD Roland Bejko, është fytyra e Sali Berishës, që frymëzon dhunë, ushtron dhunë dhe pengon një sekretar të PD të vijë në seli në një mbledhje pune”.

“E papranueshme që dhunohet një demokrat i orëve të para, një demokrat i ndershëm me kontribute 30 vjeçare në këtë parti. Roland Bejko u dhunua sot vetëm se mendon ndryshe nga Sali Berisha, vetëm se nuk i shërben interesit të Sali Berishës,  vetëm se ka vendosur ti shërbejë interesit të demokratëve dhe PD-së”, shprehet PD.

Edhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj reagoi lidhur me protestën e thirrur para selisë së PD-së.

Në një deklaratë për mediet Alibeaj thekson se Sali Berisha nxit demokratët të përplasen me njëri-tjetrin.

“Sali Berisha do dhunë dhe gjak. Nxit demokratët të përplasen me njëri-tjetrin dhe vetë është fshehur. Turp! Kjo është fytyra e vërtetë e Sali Berishës. Të dhunojë këdo që nuk mendon si ai”, thekson Alibeaj.

Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka ftuar të gjithë demokratët të bashkohen në protestën e sotme para Selisë së Partisë Demokratike me moton “Jo bunker i Pengut po Shtëpi e Demokratëve’.