Deputetja e Sarandës propozon ashpërsimin e dënimeve për dhunim apo kanosje të gazetarëve
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa depozitoi në Kuvend nismën për ndryshime ligjore në Kodin Penal për të rritur dënimet për ata që kanosin gazetarët, ata që dhunojnë, kanosin, apo vrasin gazetarët.
Në prononcimin për mediet, Zhupa theksoi se dënimet janë klasifikuar si dënime për shkak të detyrës dhe klasifikohen me të njëjtën ashpërsi si ato të kryera ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, apo ndaj mjekut.
Ajo argumentoi se vetëm ditët e fundit janë disa raste ku janë dhunuar gazetarët e Report Tv, të emisionit Fiks Fare, dhe gazetarë të tjerë të cilët marrin mesazhe kërcënuese, apo kanosen gjatë kryerjes së funksioneve të tyre si gazetarë.
“Mos të harrojmë që punonjësit e medias, që nga reporteri, kameramanët, gazetarët të gjithë vënë edhe jetën e tyre në rrezik shpeshherë për të raportuar lajmin. Dhe raportimet e tyre, sidomos kur bëhet fjalë për emisione investigative janë të gjitha në shërbim të zbardhjes të së vërtetës, në shërbim të interesit publik”, tha Zhupa.
“Konkretisht unë kam propozuar ndryshimin e nenit goditje për shkak të detyrës, duke futur nenin 137 me këtë paragraf: “Kur kjo vepër kryhet ndaj gazetarit, operatorit, fotoreporterit, apo punonjësit të medieve për shkak të veprimtarisë së tij dhe kur cilësitë e personit janë të dukshme, ose të njohura dërgohet me burgim nga 1-5 vjet.”
Gjithashtu ndryshimin e nenit 138 i titulluar ‘Kanosja për shkak të detyrës’, ku shtohet:”Kur kjo vepër kryhet ndaj gazetarit, fotoreporterit, operatorit, apo punonjësit të mediave për shkak të veprimtarive të tij dhe kur cilësitë e personit janë të dukshme, ose të njohura dënohet me burgim nga 1-3 vjet”, sqaroi ajo.
“Uroj shumë që si ndryshimet e tjera që kemi depozituar të shqyrtohen, sepse këto kohë jemi duke hasur vështirësi për shqyrtimin, për futjen në axhendën parlamentare, për diskutimin e tyre në komisione në mënyrë të tillë që edhe qytetarët ta dëgjojnë, por edhe deputetët të shprehin mendimet e tyre pro edhe kundër”, tha Zhupa.