Destinacioni i javës: Parku Arkeologjik i Finiqit, 13 km nga qyteti i Sarandës
Parku Arkeologjik i Finiqit është vetëm 13 km nga qyteti i Sarandës, i vendosur mbi një kodër 283 m mbi nivelin e detit.
Në antikitet Finiqi ka luajtur një rol strategjik nga pikëpamja adminstrative e politike në rajonin e Epirit, i cilësuar si kryeqendër e Kaonëve dhe më pas si kryeqyteti i Koinonit Epirot.
Gërmimet arkeologjike kanë nxjerrë në pah sistemin fortifikues, organizimin urbanistik me sistem tarracimesh, ku inkuadrohet agoraja e qytetit, rezidencat private si dhe një sërë ndërtesash me karakter social e publik.
Ndër monumentet të cilët janë në gjendje të vizitueshme janë: Teatri, Banesa me dy peristile, Muri Fortifikues, Stera A, Tempulli Helenistik (Thesauròs) dhe Bazilika Paleokristiane.
Parku Arkeologjik i Finiqit ofron për turistët një eksperiencë të jashtëzakonshme ku përveç monumenteve në brendësi të mureve fortifikuese ata mund të shijojnë një pamje mahnitëse nga ultësira e Bistricës, liqeni i Butrintit dhe gjithë pellgu i Delvinës.