Zhupa me fermerët e Konispolit: Duke zgjedhur ata që njohin problemet tuaja, do ndryshojë dhe bashkia

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa zhvilloi një takim me fermerët në Konispol, ku u njoh me shqetësimet e tyre.

Deputetja Zhupa theksoi se ndërkohë që fermerët përballen me shumë probleme, qeveria i ka dhënë për fermë vetëm administratorit të Inceneratorit të Tiranës, 250 mijë euro.

“Në Sharrë, ku është inceneratori, meqë është fushë ai e kishte regjistruar si fermë. As ka mbjellë, as ka bërë gjë, por lekët e BE-së që mund t’i mernit ju, i ka marrë ai. 250 mijë euro me fakte dhe me prova, dhe as nuk skuqen dhe as nuk zverdhen, lëre më t’i preket ligji, apo të vihet drejtësi”, tha Zhupa.

Ajo tha se të gjitha problemet e fermerëve do t’i ngrejë në Parlament në çdo moment.

“Do bëjmë gjithçka. Zgjedhjet bashkiake janë afër, dhe duke filluar pas 4 dhjetorit fillon edhe fushata pasi caktohen edhe kandidatët. Duke zgjedhur njerëzit që i njohin dhe jetojnë me problemet tuaja, që ia dinë punës, ia dinë menaxhimit do ndryshojë dhe bashkia. Se nuk mundet t’ua kthejnë kurrizin që të bëjnë sikur nuk ua dinë hallet, se janë vetë që merren me këtë gjë dhe jetojnë me përditshmërinë tuaj”, tha deputetja e PD-së.