Si ndodhi vrasja në Sarandë? Dëshmia: 41-vjeçari sulmoi dhe gjakosi kamarierin, vëllai i tij u tremb dhe tentoi ta ndalonte të hynte në hotel
Policia e Sarandës ka arrestuar dy vëllezërit kamarierë dhe administratorin e hotelit, për vrasjen e një 41-vjeçari nga Tepelena, pas një sherri që dyshohet se nisi për shkak se viktima kishte parkuar makinën para derës së hotelit.
Administratori akuzohet për fshehje të krimit, ndërsa dy vëllezërit akuzohen nga policia se kanë bashkëpunuar në krim.
Por ndonëse deri tani dinamika e ngjarjes nuk është ende plotësisht e qartë, Newsbomb.al sjell dëshminë e një personi që ka dijeni për atë çka ndodhi mbrëmë.
Sipas dëshmisë së personit që kërkon të qëndrojë anonim, 41-vjeçari nga Tepelena Klodian Bakiaj, parkoi makinën e tij para derës së hotelit në Lagjen Nr.1 të qytetit. Në atë moment ka dalë jashtë hotelit kamarieri Xhanelo Tarja, i cili i ka kërkuar të mos e parkojë makinën aty.
Më tej pretendohet se 41-vjeçari është revoltuar dhe ka nisur të ofendojë e më pas e ka goditur kamarierin 24-vjeçar. Personi që ka dijeni për ngjarjen ka thënë për Newsbomb.al se Xhanelo Tarja ka edhe një shenjë pjesën e fytyrës si pasojë e goditjes.
Në këtë moment familjarë dhe të afërm që kanë qenë brenda hotelit, kanë arritur të mbyllin derën e hotelit duke e nxjerrë jashtë 41-vjeçarin i cili është larguar dhe ka hequr makinën duke u thënë “do vij dhe do t’ju vras të gjithëve”.
Por sipas dëshmisë, ai është kthyer sërish ndërsa Xhanelo Tarja i ka dalë përpara për t’i bllokuar rrugën që të mos hynte në hotel pasi familjarët e tjerë janë ndjerë të frikësuar, por Bakiaj e ka qëlluar duke e rrëzuar në tokë Xhanelon. Vëllai i Xhanelos, Xhoi Tarja, e ka parë këtë skenë dhe duke u trembur për jetën e vëllait të tij, ka marrë thikën dhe është përleshur me Bakiajn. Një goditje e vetme ka rezultuar fatale për 41-vjeçarin nga Tepelena, i cili ka humbur jetën disa çaste më pas.
Personi shton se pronari i hotelit nuk ndodhej i pranishëm në vendin e ngjarjes, por është nisur menjëherë sapo e kanë njoftuar familjarët që ndodheshin në hotel.
Dy vëllezërit kamarierë kanë lidhje familjare me pronarët e hotelit, dhe vetëm 5 ditë më parë Xhoi Tarja festoi ditëlindjen e tij të 18-të.
Më poshtë edhe versioni zyrtar i Policisë për ngjarjen:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, me marrjen e njoftimit për ngjarjen e ndodhur në lagjen nr.1, Sarandë, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i reagimit në kohë dhe i veprimeve të shpejta hetimore në vendngjarje, u bë e mundur identifikimi i autorëve të dyshuar.
Falë ndjekjes së pandërprerë të autorëve të dyshuar, pas disa orësh kërkimesh, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan 2 autorët e dyshuar, shtetasit:
-Xhanelo Tarja, 24 vjeç dhe Xhoi Tarja, 18 vjeç (vëllezër), të dy banues Laç dhe të punësuar përkohësisht në Sarandë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Këta 2 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se mbrëmjen e djeshme, në rrugën “Lefter Kalo”, në lagjen nr.1, Sarandë, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, për një vend parkimi në afërsi të hotelit, ku ishin të punësuar vëllezërit, kanë goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin Klodian Bakiaj, 41 vjeç, banues në Tepelenë, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ndërroi jetë në spitalin e Sarandës.
Gjithashtu, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. A., 41 vjeç, administrator i hotelit ku ishin të punësuar 2 autorët e dyshuar, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi nuk ka pranuar të tregojë rrethanat e kësaj ngjarjeje për krimin e kryer nga punëtorët e tij, si dhe ka kryer veprime për fshehjen e provave në lidhje me këtë ngjarje.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.