Balla dhe Niko Kuri takohen në Sarandë me Giogiakas: Njohja e pensioneve, rëndësi e veçantë për komunitetin shqiptar në Greqi

Krytetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mirëpriti sot në Sarandë, Kryetarin e Grupit të Miqësisë Greqi-Shqipëri në Parlamentin helen deputetin e Igumenitsës, Vassilios Giogiakas.

“Saranda është tashmë një destinacion i preferuar turistik”, theksoi Balla.

“Kemi ngritur në një nivel të ri bashkëpunimin mes dy parlamenteve, duke synuar një intensifikim edhe në nivel komisionesh parlamentare. Është me rëndësi që të thellojmë akoma më shumë bashkëpunimin ekonomik dhe duhet të jetë një nga prioritetet kryesore në marrëdhëniet tona. Të dy vendet mund të bëjnë më shumë në disa fusha si në bashkëpunimin e dhomave të tregtisë në fushën e investimeve, energjisë dhe sidomos turizmit”, tha Balla në një postim në rrjetet sociale.

“Minoriteti grek në Shqipëri dhe komuniteti shumë i madh shqiptar që jeton dhe punon në Greqi janë mbështetje e urave të shumta të bashkëpunimit”, u shpreh Balla.

“Çështja e njohjes së ndërsjelltë të pensioneve merr një rëndësi të veçantë për të gjithë komunitetin shqiptar që jeton dhe ka një kontribut të madh në Greqi por edhe për minoritetin grek të Shqipërisë. Pas takimit që pata në Mars 2022 me Ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale Kostis Hatzidakis kane vijuar takimet dypalëshe në nivel politik dhe teknik, në drejtim të arritjes së një marrëveshje për njohjen e ndërsjelltë të pensioneve mes dy vendeve tona”, theksoi Balla.