Destinacioni i javës: Manastiri i 40 Shenjtorëve
Rrënojat e Manastirit të 40 Shenjtorëve ndodhen në një kodër dominuese në lindje të qytetit të Sarandës. Konsiderohet si një nga monumentet me arkitekturën më unike
Bazilika e tij shpesh është cilësuar si një ndër kishat më të bukura të antikitetit të vonë në Shqipëri dhe ka qenë qendër e rëndësishme peligrinazhi kushtuar kultit të 40 Shenjtorëve.
Ambientet e brendshme të saj kanë një plan unik në formë shtatëkëndëshe (për shkak të shtatë apsidave), ku tre ndodhen në nefet anësore dhe një apsidë e dalë në nefin qëndror.
Në të ruhen ambientet nëntokësore, si një vend i fshehtë i konceptuar në formën e kriptave.
Nëpërmjet një korridori oval kalohet nëpër 9 kriptat, të realizuara me harqe të rëndë e të fuqishëm, muret e të cilëve kanë qenë me afreske. Manastiri ka patur dhe ambiente të tjera ndihmëse për pritjen e peligrinëve dhe vazhdoi të përdorej deri në mesin e shek. XIX nga një komunitet i vogël murgjish.
Muret e tij ishin në këmbë deri në vitet 1940, kur u rrëzuan nga bombardimet e Luftës së Dytë Botërore.
Rrënojat ekzistuese, por edhe fotografi të viteve ‘30-të, tregojnë se Kisha kishte një strukturë madhështore, gati 40 m e gjatë dhe 24 m e gjerë.