Kumbaro inspektim në Sarandë, nis nga puna operatori shtesë i pastrimit në plazhe

Në Sarandë ka nisur nga puna operatori shtesë i pastrimit, që për herë të parë këtë vit vjen si ndihmë për bashkinë, me mbështetje nga buxheti i shtetit për të siguruar pastrim të plotë çdo 24 orë të vijës bregdetare.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro e shoqëruar edhe nga kryetar i bashkisë Sarandë Adrian Guma, inspektoi nga afër situatën në bashkitë e Sarandës, e cila përveç firmës të kontraktur nga kjo e fundit, për të përballuar fluksin, po asistohen edhe nga një operator shtesë që menaxhohet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit.

Guma shpjegoi se operatorët e pastrimit, punojnë në fashën orare 6:00 e mëngjesit deri në orën 18:00 në mbrëmje. Ndërsa nga ora 18:00 deri në 6:00 të mëngjesit është operatori i kontaktuar nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit.

Guma tha se operatori i kontaktuar nga bashkia kryen pastrimin e në territorin e qytetit, fshatit dhe atë periferik.

“Praktikisht operatorët bëjnë zbrazjen e koshave nga mbeturinat, dezifektimin dhe lajrjen e koshave. Me rritjen e fluksit të pushuesve kemi intensifikuar procesin duke garantuar pastërti në pikat e hedhjes së mbeturave”, tha ai.

Gjithashtu vijoi Guma, është ndërgjegjësuar edhe biznesi, kryesisht ai që operon në sektorin e marketeve, për të grumbullojë dhe hedhur mbetjet e kartonave në një orar të caktuar, të cilat shkojnë më pas tek qendra e riciklimit.

“Mbi bazën e kontratës bashkia i shet mbetjet e kartonit në pikat e riciklimit. Fitimet janë minimale por është modeli i duhur që po ndjekim”, tha ai.

Nga ana e saj ministrja Kumbaro theksoi se pastërtia e qytetetit dhe veçanërisht e plazheve është përgjegjësi e bashkisë.

“Shtimi i fluksit të popullsisë gjatë këtyre muajve e bën të pamundur që bashkia t’ia dalë e vetme në pastrimin e mbetjeve dhe kjo është arsyeja pse ne vendosëm që për të parën herë të përdorim këtë instrument së bashku me AKB-në për vijën e plazhit”, u shpreh Kumbaro.

“Sezonin e duam të mbarë në numra por mbi të gjitha të pastër, që s’e bëjmë dot vetë pa bashkëpunimin e secilit për t’i trajtuar plazhet si shtëpia jonë e përbashkët”, u shpreh Kumbaro teksa vuri theksin në vijimin e sensibilizimit të qytetarëve për t’i hedhur mbeturinat në koshat dhe vendet përkatëse.