Gurma: I gjithë plazhi në shëtitoren e Sarandës është publik, 20% më shumë turistë se qershori i kaluar
Kryebashkiaku Adrian Gurma, thotë se qyteti i Sarandës këtë vit ka hyrë në sezon turistik shumë më shpejt, kryesisht për shkak të frekuentimeve të shtuara në fundjavë.
Ai cilësoi si risi ardhjen e turistëve jo vetëm nga Europa Lindore, por edhe nga Europa Qendrore dhe ajo Perëndimore.
Duke folur për MCN Live, ai cilësoi si risi tjetër pas dy viteve të pandemisë, ardhjen e kroçerave që kanë prekur Sarandën, duke i dhënë frymëmarrje dhe angazhim bizneseve turistike në qytet.
Sipas tij, krahasuar me një vit më parë, Saranda është në shifrat rreth 15-20% më tepër se viti i kaluar.
“Kapacitetet rezidenciale janë në 60% e tyre, ndërsa vitin e kaluar ka qenë numër i ulët. Kemi 880 njësi akomoduese me kapacitet shtretërish 24 mijë. Janë rreth 9600 dhoma që presin turistët, shpresojmë rritjen e kapaciteteve rezidenciale dhe pushuesve.
Për shkak të luftës në Ukrainë, ka pasur një stopim nga vendet lindore. Ky handikap është plotësuar me turistë nga vendet e Europës Qendrore dhe Perëndimore edhe kroçerat e kanë plotësuar vakumin.
Bashkia Sarandë prej 3 vitesh tashmë ka caktuar hapësirat publike gjatë gjithë shëtitores, është i gjithi plazh i lirë, publik, është krejt i lirë. Ashtu siç është një zonë tjetër në lagjen nr.4 dhe një zonë tjetër në Ksamil, shpresojmë që vitin tjetër të shtojmë edhe hapësirën e plazheve të cilat janë natyrale të kthehen në plazhe publik sa i takon qasjes së pushuesve.
Një pjesë e stacioneve të plazheve i ka privati, ndërsa bashkia ka rolin e vetë sa i takon pastërtisë. Është një sipërmarrje shumë e vështirë që do kohën e vetë dhe monitorimin në terren. Saranda nuk ka pasur problematika të kësaj natyre, kemi shtuar numrin e stacioneve të plazhit nga 135 i kemi çuar në 148.
Sfidë mbetet pastrimi i territorit dhe plazheve por edhe monitorimi i kontraktorëve. Situata krahasuar me vitin e kaluar është shumë më mirë, pasi përveç kontraktorit nga bashkia Sarandë kemi dhe një tjetër të kontraktuar nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit. Komunikimi me biznesit ka qenë në lartësinë e duhur, edhe për ti këshilluar dhe ndërgjegjësuar.
Biznesi është edhe elementi që prodhon më shumë mbetje urbane, se ka turistë të shtuar. Është një sfidë që nuk mund të tejkalohet pa bashkëpunimin e bizneseve. Prej një jave të dy operatorët punojnë me fasha të caktuara orare”, tha Gurma.
Lidhur me pastrimin, deklaroi se në momentin e parë janë vendosur gjoba në mënyrë që të ndërgjegjësoheshin për sezonin, por shtoi se nëse nuk do i përgjigjen kritereve për pastrimin, do të penalizohen.
Sa i takon rojeve bregdetare, Gurma tha se monitorimi bëhet nga strukturat e bashkisë dhe mbrojtjes së territorit dhe se në pjesën e kontrollit të bashkisë e plotësuar, për kontraktorët privatë monitormi bëhet rast pas rasti.
Lidhur me abuzimet me çmimet, kryebashkiaku i Sarandës deklaroi se nëse do të thoshte që nuk ka rritje çmimesh nuk do të ishte i drejtë.
“Ka raste sporadike që nuk duhet të përgjithësohen. Roli ynë është monitorues dhe ndërgjegjësues. Nuk ka pse të ndotet imazhi i mirë i Sarandës, me raste dhe elementë sporadikë të prishjes së këtij imazhi.
Ne jemi këtu për të ndërgjegjësuar, monitoruar edhe masa që duhet të jenë imediate që turisti të mos dëmtohet”, u shpreh Gurma.
Ndërsa për aktivitetet kulturore deklaroi se nga viti në vit kalendari i eventeve kulturore turistike ka ardhur në rritje.
“Kemi një kalendar mjaft të pasur aktivitetesh kulturore artistike, të cilin e pasurojmë me evente të tjera që vijnë në formën e eventeve. Ka panaire të librit të artizanëve që janë të përvitshëm, festivali i Butrintit, 2-3 trupa teatrore që kanë paraqitur projektet e tyre për të ardhur në Sarandë, plan për gjallërimin e jetës kulturore-artistike në shëtitoren e Sarandës, për të përmirësuar ofertën.
Kemi qenë promotor dhe lider për nënshkrimin e një memorandumi me bashkinë fqinje, që kush vjen në Sarandë të vizitojë edhe trashëgiminë kulturore në Delvinë, Finiq, Himarë.
I kemi dhënë jetë duke bërë evente të përbashkëta. Delvina është e njohur për historinë trashëgimore turistike. Edhe Himara ka dhe detin dhe malin dhe të gjitha bashkë përbëjnë një ansambël dhe ofertë turistike mjaft të pasur. Nuk do të ketë vetëm detin, diellin dhe rërën por edhe aktivitetet e tjera që do të gjallërojnë jetën kulturore-artistike”, theksoi kryebashkiaku Sarandës.
Lidhur me gjendjen financiare tha se Bashkia Sarandë është ndër bashkitë me gjendje shumë të mirë financiare, qoftë për mbledhjen e taksave, por edhe për qasje sociale, teksa nënvizoi se nuk futet tek bashkitë në vështirësi financiare.
“Kjo na jep stimul për të rritur shërbimet ndaj qytetarëve, shpresojmë që në fund të këtij viti të jemi më mirë.
Për sa kohë qytetarët do të jenë të kënaqur me punën time, sfida ime kryesore është shërbimi ndaj qytetarëve dhe tejkalimi me sukses i sezonit turistik. Të gjithë kolegët e mi kryetarë bashkish në qytete bregdetare më kuptojnë më së miri”, pefundoi Adrian Gurma.