‘Pushimet s’do jenë si vitet e tjera’, Klosi paralajmëron të përgatiteni: Vera do shënojë rihapjen e jetës sociale, por ja masat me të cilat shoqërohet

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka bërë me dije se sezoni turistik në Shqipëri do të hapet më shpejt se vendet e rajonit.

Klosi shtoi se pushimet këtë vit nuk do të jenë si vitet e tjera, por gjithsesi pushime do të ketë.

Ndërkaq ai shton se vera do të shënojë rihapjen e gjithë jetës sociale të vendit dhe kjo do të shoqërohet me masa më të larta sa i përket higjienës dhe distancimit social.

“E vetmja gjë që dihet me siguri është se pushimet këtë vit nuk do të jenë si vitet e tjera, por do të jenë gjithsesi pushime. Vera do të shënojë rihapjen e gjithë jetës sociale të vendit dhe kjo do të shoqërohet me masa më të larta sa i përket higjienës dhe distancimit social, por turizmi do të jetë injeksioni i parë që do të hyjë në ekonomi, edhe me para të ardhura nga jashtë, por edhe brenda.

Virusi po kontrollohet për momentin shumë më mirë se më përpara. Kemi lajme të mira për gjetjen e kurës dhe vaksinës, ndaj duhet të fillojmë të mendojmë se fundi i muajit maj do të ketë shumë më tepër lehtësira sa i përket sektorit të turizmit.

Jam optimist, duke parë energjinë që ka turizmi në Shqipëri, i kemi mundësitë që të bëjmë një lëvizje të shpejtë në treg”, tha Klosi për Euronews Albania.