Shpërthimi me tritol në hotelin në Sarandë, dyshim se ishte paralajmërim, hetimi në disa pista

Shpërthimi i eksplozivit në katin e parë të hotelit në zonën e Çukës në Sarandë, ka dyshime se mund të ketë qenë paralajmërim. Burime nga grupi hetimor i thanë Tv Klan se kjo është pista kryesore që verifikohet, pasi nisur nga dinamika e ngjarjes, autorët kanë patur qëllim vetëm për të shkaktuar dëme materiale në godinë.

Hotel ‘Dea’ rezulton të jetë në pronësi të Nuri Yzeiraj që sipas informacioneve prej kohësh ka pezulluar shërbimet hoteliere. Pronari i hotelit rezulton të jetë familjar i Pajtim Yzeirajt të vrarë në vitin 2001 në Spanjë për pazare droge.

Lidhja e Nuri Yzeirajt me këtë personazh të njohur të botës së krimit në qytetin e Fierit ka bërë që hetuesit të kryejë verifikime nëse shpërthimi me tritol mund lidhet dhe me atë ngjarje.

Gjithashtu hetime po kryhen dhe për ndonjë konflikt të mundshëm të kohëve të fundit. Vetë Yzeiraj përpara hetuesve ka mohuar të ketë konflikte.

Pamjet filmike të fiksuara nga kamerat e sigurisë në zonë konsiderohen kyç nga hetuesit në identifikimin autorëve të shpërthimit që tronditi Sarandën mbrëmjen e së dielës.